Nano-teknologjia, e dobishme apo e rrezikshme?

Çfarë është nano-teknologjia?

Nano-teknologjia është shkenca që kontrollon lëndën në shkallë atomike dhe molekulare duke përdorur “grimca” me diametër 1 deri 100 nanometër. Nano-teknologjia përfshin një fushë të gjerë duke filluar nga pajisjet tradicionale deri në përqasjet e reja “të vetë-montimit molekular”, nga zhvillimi i materialeve të reja me dimensione të shkallës nano tek kontrolli i lëndëve në shkallë atomike.

Shkenca e përmasave nano po merr një zhvillim të vrullshëm mbarëbotëror si pasoje e investimeve te ethshme nga qeveritë e vendeve të zhvilluara duke pritur që kapitali i kesaj industrie të rritet nga 1 trilion dollarë në vitin 2010 në disa trilion dollarë mbas vitit 2014.

Sipas disa kërkuesve (The Project on Emerging Nanotechnologies, Qëndra Ndërkombëtare për Shkollarë Woodrow Wilson në Uashington), në ShBA çdo javë dalin ne treg 3 produkte të reja si psh: raketa tenisi, veshje antiplumb ndërsa në fushën e ushqimeve deri tani jane identifikuar rreth 300 produkte (Helmut Kaiser Consultancy Group ). Në këtë sens parashikohet se në vitin 2015, nano-teknologjia do të përdoret nga 40% e industrive ushqimore.

Shqetësimet kryesore të shkenctarëve lidhur me nano-teknologjinë janë:

• Ndërgjegjësimi publik dhe politik për nano-teknologjinë është shumë i ulët.

• Mbrojtja e konsumatorit do të jetë e dobët nëse nuk do të aplikohet kontrolli i produkteve të nano-teknologjisë në çdo aspekt të zinxhirit ushqimor.

• Zbatimi i nano-teknologjise do të shkaktojë humbje të vendeve të punës, forcim të forcave ushtarake dhe humbje të privacisë (sondazh nga revista Nature).

• Nano-teknologjia mund të jetë aq e aftë sa të shkatërrojë biosferën nga e cila varet e gjithë jeta.

Disa shembuj ilustrues të aplikimit të nano-teknologjisë:

Vajrat kanola nga Industria Shemen e Izraelit përmbajnë përbërës të përmasave nano të quajtura “nano-pika” të krijuara për të orientuar vitaminat, mineralet dhe kimikatet bimore në organizëm. Ndërsa Slim Shake nga RBC Life Sciences Inc. përdor “Nano Vilet” për të përforcuar shijen dhe dobitë shëndetsore të kakaos pa nevojën e sheqerit.

Senomyx, kompania e bioteknologjisë së shtesave ushqimore të veçanta, ka zhvilluar disa kimikate që megjithëse nuk përmbajnë shije në vetvete mund të imitojnë ose përforcojnë për shembull shijen e sheqerit ose kripës duke aktivizuar ose bllokuar receptorët e shijes në gojë. Sipas studimeve, një konsumator gjatë shijimit të ushqimeve nuk mund ta dallojë praninë e nano-përbërësve të përpunuar me ushqimin. (MERCOLA). Kompani si Nestle, Coca-Cola, etj, kanë paguar miliona dollarë pranë kompanise Senomyx për kërkime dhe zhvillime të kësaj bio-teknologjie.

Ndryshimet Klimatike, Bujqësia dhe disa Konsiderata për Shqipërinë

Tendenca e rritjes së popullsisë do të çojë në rritjen e konsumit të mishit. Sipas FAO-s në vendet në zhvillim ku pozicionohet edhe Shqiperia, konsumi i mishit nga 28 kg për person në vitin 2002 do të shkojë në 44 kg në 2050.
Gjithsesi sot vlerësohet se bujqesia është kontribues i rëndësishem i emetimit të gazrave serë. Gazet serë (GHG) jane problem global, që nuk njohin kufi.

Image003

Për arritjen e mitigimit nevojitet analizimi i ciklit të jetës së blegtorisë dhe bujqesisë: kafshët, toka dhe bimët. Teknologjitë që rekomandohen për reduktimin e emisionit të gazit metan (CH4) nga kafshët bujqësore më shpejt të arritshme janë përmes dietës.
Në rastin e Shqipërisë, zjarrvënia e shpeshtë si praktikë në fushat bujqësore dhe erozioni i tokës janë ndër faktorët e shpeshtë shkaktarë të çlirimit të karbonit nga toka.
Me anë të bimëve leguminoze ulet niveli i oksidit të azotit N2O dhe fitohet fertilim (fara) prandaj për të arritur mitigimin, ferma duhet të shohë kostot dhe përfimet lidhur me këtë varietet bimesh.
Studiues Evropianë bien dakord se disa praktika të mira të mitigimi janë: pyllëzimi (sekuestrimi i karbonit (C) në biomasë dhe në dhé); reduktim i emetimeve për njësi; sigurimi i ushqimit; ulje e emisioneve në bujqësi.

Barra e sëmundjeve që lidhen me strehimin e papërshatshëm

Nga Endri Haxhiraj,

Hyrje

Ky punim synon të informojë autoritetet lokale/qëndrore për rëndësinë e investimeve në strehim, mbi bazën se ai jo vetëm përmirëson shëndetin e njerëzve dhe shanset e barabarta për jetesën, por që ka kuptim të shëndoshë ekonomik dhe që mund të kursejë para me kalimin e kohës.

Politikat për strehim të shëndetshëm

Varfëria, strehimi dhe shëndeti i dobët zakonisht janë të lidhura me njëra tjetrën, kjo do të thotë se është e vështirë të matësh përfitimet shëndetësore vetëm nga përmirësimi i kushteve të strehimit.

Tashmë ekziston lidhja midis strehimi të varfër dhe shëndetit të dobët. Shumë studime ndër-sektoriale kanë raportuar lidhje të qëndrueshme statistikore midis kushteve të këqija të banimit dhe shëndetit të dobët.

Kushtet e papërshtatshme të strehimit zakonisht prekin më të dobëtit dhe për më tepër ata që i vuajnë këto pasoja janë grupet vulnerabël të shoqërisë. Në përgjithësi ata të cilët përdorin më shumë e kërkojnë kushte më të mira strehimi janë të rinjtë, të moshuarit, të sëmurët dhe të papunët, që përfaqësojnë dhe nëngrupet më të ekspozuara nga rreziqet mjedisore (6). Ky grup vulnerabël, është midis atyre me më shumë gjasa për të jetuar në strehim të dobët dhe gjithashtu priren për të kaluar më shumë kohë në shtëpitë e tyre të ekspozuar ndaj rreziqeve potencialë të mjedisit (1).

Ata që kanë një strehim të dobët kanë më shumë gjasa të jenë të privuar socio-ekonomikisht dhe sëmuren për një kohë të gjatë.

Në këtë kontekst, hulumtuesit tregojnë se çfarë ndikimi të dobishëm shëndetësor ka përmirësimi i izolimin e brendshëm të banesave. Më tej ata mbështesin hipotezën se barra ekonomike e sëmundjeve nga të ftohtit mund të reduktohet nga masat që merren për përmirësimin e ngrohjes së shtëpive (4).

Strehimi i shëndetshëm dhe i sigurt duhet të jetë një kërkesë themelore për çdo shoqëri. Pasojat e sëmundjeve të lidhura me strehimin e papërshtatshëm, justifikojnë qasjen ndaj politikave për strehim të shëndetshëm. Strategjitë dhe politikat e strehimit janë komplekse dhe përfshijnë planifikimin dhe ndërtimin e banesave ndjekur nga përmirësimi, rinovimi dhe rikonstruksioni. Kjo nënkupton që strategjitë dhe politikat për strehim të shëndetshëm duhet të jenë gjithëpërfshirëse dhe duhet të përfshijnë një gamë të gjerë profesionesh (6).

Më konkretisht, autoriteteve lokale (Bashkitë, Komunat) kanë disa kompetenca dhe funksione që mund të promovojnë strehimin e shëndetshëm dhe të lehtësojnë kushtet të cilat kërcënojnë shëndetin dhe sigurinë.

Fillimisht, shërbimet sociale lokale duhet të njohin rolin që mund të japë strehimi i varfër në shëndetin dhe mirëqenien e banorëve dhe kur është e përshtatshme të bashkëpunojë me agjenci të tjera.

Së dyti autoritetet lokale zakonisht kanë përgjegjësi për nevojat e strehimit për zonën e tyre dhe për zhvillimin dhe zbatimin e strategjive të strehimit. Strategji të tilla përfshijë sigurimin e shtëpive të reja, skema për zëvendësimin e shtëpive të vjetra dhe aplikimin dhe zbatimin e standardeve. Rëndësia e veçantë në këtë pikë marrin masat infrastrukturore për të krijuar kushtet e një strehimi të shëndetshëm.

Së treti, organet publike të strehimit janë në një pozicion që kanë kompetencën për menaxhimin adekuat për të mirën e shëndetit dhe cilësisë së jetës së banorëve të tyre.

Investimet për përmirësimin e kushteve të banimit janë një mjet për përmirësimin e kushteve të jetesës së grupeve me të ardhura të ulëta në rrezik të madh shëndetësor dhe është një mjet potencial përmes të cilit politikat publike mund të përmirësojnë shëndetin dhe të zvogëlojnë pabarazitë shoqërore dhe shëndetësore.

Cilësia e banimit dhe shëndeti mendor

Ka disa arsye të mundshme pse strehimi me cilësi të dobët mund të ndikojë në shëndetin mendor.

Strehimi simbolizon identitetin e vetvetes dhe në këtë mënyrë strehimi i papërshtatshëm mund të çojë në stigmatizimin dhe ndjenjat e paaftësisë. Strehimi i varfër është stresues në disa aspekte më shumë shqetësime rreth rreziqeve dhe sigurisë (veçanërisht nëse janë të përfshirë fëmijët dhe mosha e tretë), mirëmbajtjen, shqetësimet financiare të lidhura jo vetëm me strehimin në vetvete, por dhe me faturat e shërbimit (p.sh., faturat e rrymës elektrike) (2).

Aspektet prindërore si përgjigjja ndaj nevojave të fëmijëve dhe mbikëqyrja e tyre, mund të ndërpriten kur prindërit përballen me vështirësi të vazhdueshme për banimin jo adekuat.

Së fundi për shumë njerëz, shtëpia e tyre është një strehë, një vend ku çlodhen nga stresi dhe tendosjet e jetës së përditshme dhe të punës, por për ata me strehim të papërshtatshëm, shtëpia mund të thotë më shumë vështirësi e jo më një vend strehimi (3).

Kosto ekonomike e strehimit jo të shëndetshëm- rasti studimit të Anglisë

Puna për matjen e “kostove të eksportuara” e strehimit jo të shëndetshëm është zhvilluar e pavarur në një numër vendesh. Sipas një studimi në Angli argumentohet se Shërbimi Shëndetësor Kombëtar në Mbretërinë e Bashkuar (NHS) rreth viteve ’90 harxhonte rreth 1/5 e buxhetit të tij për shëndetësinë duke u përpjekur për të kuruar sëmundjet që shkaktoheshin nga papunësia, varfëria, strehimi i keq dhe ndotja e mjedisit (5).

Më konkretisht, shpenzimet për trajtimin e sëmundjeve shëndetësore që rridhnin nga strehimi me standard të ulët është vlerësuar në 2.4 billion £ (stërlina) në vit (sipas Federatës Kombëtare të Banesave, 1997) (7). Kështu kostoja e plotë e një strehimi jo të shëndetshëm për shoqërinë është vlerësuar të jetë rreth 1.5 miliard £ (rreth 1.8 miliardë €) në vit. Kjo kosto në fakt mund të duket mjaft e ulët po të krahasohet me vlerësimet që janë bërë në të kaluarën. Megjithatë, duhet theksuar se ky vlerësim merr në konsideratë zvogëlimin e pasojave por jo në mënjanimin total të rrezikut ose ngritjen e standardit të gjitha strehimeve në një nivel optimal.

Si zgjidhje për situatën, kjo do të përkthehej në një kosto të hershme të parapaguar për të patur kosto totale më të ulur në të ardhmen.

Referenca

1- British Medical Association Board of Science and Education (2003). Housing and health: building for the future. London, British Medical Association Board of Science and Education.

(http://www.bma.org.uk/ap.nsf/AttachmentsByTitle/PDFhousinghealth/$FILE/Housinghealth.pdf, accessed October 2007),

2- Evans GW, Wells NM, Moch A (2003). Housing and mental health: A review of the evidence and a methodological and conceptual critique. Journal of Social Issues, 59:475-500.

3- Evans GW et al. (2000). Housing quality and mental health. Journal of Consulting and Clinical Psychology 68:526- 530.

4- Howden-Chapman P et al. (2007). Effect of insulating existing houses on health inequality: cluster randomized study in the community. British Medical Journal, 334:460-464.

5- Lawson R (1997). Bills of Health. Oxford, Radcliffe Medical Press.

6- Braubach, M., Jacobs, D.E., Ormandy, D., Environmental burden of disease

associated with inadequate housing, WHO, 2011.

7- National Housing Federation (1997). Housing for Health. London, National Housing Federation.

Konferenca Eficenca e Energjisë dhe Energjia e Rinovueshme në Banesa, Nxitja e të rinjve profesionistë drejt praktikave mjedisore

Në kuadër të iniciativave për promovimin e energjive të rinovueshme Instituti i Politikave Mjedisore (IEP) zhvilloi në 24 Shkurt konferencën: ´´Eficenca e Energjisë dhe Energjia e Rinovueshme në Banesa, Nxitja e të rinjve profesionistë drejt praktikave mjedisore”.
Kjo konferencë përbën aktivitetin përmbyllës të seminareve me të rinjtë e shkollës profesionale Karl Gega. Ndër përfundimet që u prezantuan në konferencë ishin se ka nevojë për një peshë më të madhe të trajtimit të elementëve të eficencës energjitike në shkollat profesionale, është e nevojshme nxitja e femrave të reja për tu afruar me këto teknika, të rinjtë nuk kanë njohuri të potencialit të tregut për energjinë e rinovueshme, shërbimeve, projektet e suksesshme të riaplikueshme, partnerët e mundshëm financiarë dhe mjetet, ka mungesë të aftësive teknike ose komerciale: për menaxhimin financiar të bizneseve, krijimin e planeve të biznesit për të tregtuar energjinë e ripërtëritshme, Bizneset nuk janë gjithmonë të gatshëm për të investuar në teknologjitë e energjisë së ripërtëritshme nëpërmjet të rinjve për shkak të mungesës së garancisë që ajo do të bëhet komercialisht e qëndrueshme dhe fitimprurëse.
Gjithashtu rezultatet e pyetësorit të zhvilluar në seminar me të rinjtë tregon se 70% e nxënësve të angazhuar ishin të informuar për konceptin efiçencës së energjisë, humbjet në rrjet dhe llambat LED por kishin mungesë informacioni mbi sasinë e energjisë së përdorur në banesa për ngrohje dhe ftohje, Pajisjet elektronike që konsumojnë më shumë energji në gjendje të fikur (në prizë), Krahasimi I llampave ekologjike me llampat inkandeshente, Pajisjet elelektroshtëpiake qe konsumojne më shumë energji në 1 ore pune.
IEP ja drejton këtë informacion autoriteteve qëndrore të linjës në mënyrë që të konsiderohen në zhvillimet dhe politikat e ardhshme për të rinjtë dhe punësimin e tyre.
Kjo konferencë u mundësia në kuadër të programit SENIOR-A e financuar nga qeveria Suedeze përmes REC Shqipëri.
Prezantim Politikat e punesimit te te rinjve dhe punet e gjelbra101_0280

101_0266

101_0277

KONFERENCË “Eficenca e energjisë dhe energjia e rinovueshme në banesa”

Nxitja e të rinjve profesionistë drejt praktikave mjedisore

E Martë, 24 Shkurt 2015, Ora 10.00,
Tirana International Hotel, Salla Abret
Tiranë

Programi

10:00-10:05 Regjistrimi i të pranishmëve

10:05-10:15 Fjala hapëse, Z. Endri Haxhiraj, Zv. Drejtor Instituti i Politikave Mjedisore (IEP)

Fjalët përshëndetëse

10:15-10:20 Z. Ersilio Tusha, Specialist për Arsimin Profesional (MMSR)

10:20-10:25 Z. Mihallaq Qirjo, Drejtor i Qendrës Rajonale te Mjedisit (REC)

10:25-10:30 Z. Agron Pëllumbi, Drejtoria e Arsimit dhe Formimit Profesional

10:30-10:35 Z. Sami Vavla, Drejtor Shkolla e Mesme Teknike Karl Gega

10:35-10:50 Prezantimi i rezultateve të pyetësorit mbi informacionin që kanë të rinjtë për eficencën e energjisë,
Znj. Alida Ndreu, IEP

10:50-10:55 Pyetje dhe diskutime

10:55-11:10 Prezantim: Prezantim i projektit me te rinjtë e shkollës Karl Gega dhe rezultatet e punes së tyre,
Znj. Teutal Malshi, IEP

11:10-11:15 Pyetje dhe diskutime

11:15-11:25 Prezantim: Politikat për energjinë dhe të rinjtë. Z. Endri Haxhiraj, IEP

11:25-11:30 Pyetje dhe diskutime

11:30-11:40 Shpërndarja e certifikatave për të rinjtë pjesmarrës në seminaret e IEP

11:45 Kafe përmbyllëse

Vrasja nuk është zgjidhje

Vetëm disa ditë pas zbulimit të vrasjes së fshehtë, ku punëtorë të Bashkisë Tiranë flaknin trupat e qenve endacakë të vrarë me injeksione në kosha publik të mbetjeve, këta të fundit kanë zënë qendrën e vëmendjes së opinionit publik. Kjo u arrit në sajë të disa tubimeve të njëpasnjëshme para Bashkisë së Tiranës me subjekt ndalimin e vrasjes së qenve.

Si në një pjesë të mirë të çështjeve mjedisore por jo vetëm, kemi dy kampe. Një grup jo i vogël njerëzish që janë kundra vrasjes dhe një grup po ashtu jo i vogël njerëzish “në kampin e vrasjes”.

Pavarësisht rrymës filozofike të secilit prej kampeve ka disa momente që duhen marrë në konsideratë:

Shoqëritë në zhvillim sikurse e jona, kanë një përqasje drejt zgjidhjeve sa më afatshkurtra dhe me efekt të menjëhershëm. Nëse objektivi i dytë arrihet, pra efekti i menjëhershëm, zgjidhja përfundimtare duket gjithmonë e më larg të arrihet. Ne këtë kuptim, në një dokument te Organizatës Botërore të Shëndetësisë citohet se: “Shpesh autoritetet të përballur me problemet që shkaktojnë qentë endacakë, shkatërrojnë gjithçka me shpresën se do të gjejnë një zgjidhje të shpejtë, shkatërrim që duhet të vazhdojë vit pas viti pa shenja të zgjidhjes”.

Tirana strehon rreth 5000 qen endacakë por numri i saktë i tyre nuk dihet. Vrasja e qenve “të lirë” thjesht do të krijojë më shumë territor për qentë e një zone tjetër. Pra Tirana është qytet në zgjerim ndërkohë që qentë e ndodhur në zona periferike/ rurale janë në kërkim të ushqimit drejt qendrave. Rrjedhimisht çdo qen i vrarë zëvendësohet në pak kohë nga një qen tjetër. Por pse kjo nuk ndodh p.sh në rastin e një zgjidhje afatgjatë sikurse është sterilizimi- vaksinimi- rilëshimi. Qentë e rikthyer në rrugë parandalojnë ardhjen e qenve të rinj për shkak të sjelljes territoriale të tyre. Gjithashtu mesatarja e jetesës së kafshëve endacake është rreth 5 vjet.

Por çështja e vrasjes së qenve endacakë ka dhe pasoja afatgjata: Fëmijët që rriten në ambiente ku ushtrohet dhunë/vrasje ndaj kafshëve ka të ngjarë që në të ardhmen të kthehen në dhunues të kafshëve dhe njerëzve sepse ata bëhen të pandjeshëm dhe e shohin dhunën si një gjë normale. Rrjedhimisht ata mësohen ta shprehin fuqinë dhe kontrollin e tyre duke abuzuar me qenie më të dobta.

Sot qarkullon edhe mendimi mbi prioritetet që ngre pyetjen se: pse duhet të merremi me kafshët ndërkohë që kemi shumë probleme të tjera sociale. Duke qenë se kjo çështje ka të bëjë shumë edhe me statusin e dobët të kafshëve dhe qenve në veçanti në shoqërinë tonë është e vështirë të kuptohet lidhja e këtij problemi me dukuri të tjera sociale. Në fakt çështja e qenve endacakë është një pararendëse apo pasqyrë e shumë problemeve të tjera. Pandjeshmëria e shoqërisë ndaj zgjidhjes së duhur të kësaj çështjeje reflektohet po aq qartë edhe për papunësinë, për njerëzit me aftësi te kufizuar, për pensionistet dhe çdo njeri qe nuk ka mundësi te mbrohet apo është në vështirësi. Ndërlidhja e kësaj çështje me të drejtat e njeriut është mesë evidente. Kjo nuk do të thotë që të ketë detyrimisht trajtim të njëjtë ose që interesat e kafshëve kanë të njëjtën peshë apo vlerë sikurse interesat thelbësore të njeriut. Shumë interesa të kafshëve janë të ndryshme nga tonat!

Një pjesë e mirë e profesionistëve të mjekësisë si humane edhe veterinare shprehen mbi potencialin e rrezikut shëndetësor që shfaqin këto kafshë. Te jemi realist, askush nuk do të shoqërohej me një kafshë potencialisht të rrezikshme. E rëndësishme në të gjithë këtë sfidë është zbatimi i programeve afatgjata që nga eksperienca e vendeve të zhvilluara garantojnë shëndetin dhe mirëqenien e njeriut dhe të kafshëve njëkohësisht. Sikurse është përmendur, një prej zgjidhjeve që i përafrohet më shumë këtij koncepti është sterilizimi- vaksinimi (plus kurimi i mundshëm) dhe rilëshimi. Por si çdo proces tjetër duhet marrë në konsideratë që trajtimi do të jetë i qëndrueshëm. Është provuar se me sterilizimin e 70% të popullatës së qenve gjendja në një territor të dhënë stabilizohet. Sterilizimi i qenve ka edhe disa avantazhe të tjera sikurse ulja e nivelit të infeksioneve zoonotike, ruajtja e ekuilibrave mjedisore si dhe pakësimi i kafshimeve nga qentë. Nga ana tjetër shumë aktivistë përkujdesen po me aq pasion e vullnet për kurimin e kafshëve me gjendje patologjike.

Shqipëria është një vend me zhvillim të vrullshëm dhe pavarësisht sfidave, shpreh një aspiratë të veçantë për integrimin sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian. Për të përmbushur kërkesat ligjore edhe për mbrojtjen e kafshëve, janë  hartuar dhe miratuar edhe legjislacioni përkatës i reflektuar pjesërisht në  legjislacionin veterinar: Ligji, Nr. 10 465, i vitit 2011-të, Për Shërbimin Veterinar në Republikën e Shqipërisë, i përafruar me direktivat BE-së. Ky ligj parashikon se autoriteti vendor (bashkia në rastin konkret) është e detyruar të mbajnë nën kontroll dhe të zbatojnë legjislacionin në fuqi për eliminimin e qenve dhe maceve të rrugës;  Ku Eliminimi i kafshëve kryhet në atë mënyrë që të mos shkaktojë dhimbje dhe vuajtje të panevojshme dhe lejohet vetëm në rastet për çrrënjosjen e sëmundjeve infektive/ zoonotike, kur njerëzit sulmohen nga një kafshë e tërbuar/ agresive, dhe gjatë gjuetisë.

Megjithëse legjislacioni që është mbi çdo individ dhe autoritet flet qartë për rastin konkret, ai nuk parashikon masa ndëshkuese në rastin e thyerjes së ligjit. Në këtë kuptim tubimet e shoqërisë civile për mbrojtjen e qenve endacakë ndjekin linjën ligjore dhe kërkojnë atë që parashikon ligji. Në të njëjtën kohë po ky grupim njerëzish ofron edhe ndihmë për përmirësimin e ligjit në aspektin e ndëshkueshmërisë.

Një dukuri risi për shoqërinë civile Shqiptare është edhe ngritja dhe pjesëmarrja aktive e shoqatave për mbrojtjen e kafshëve. Ky grupim aktiv edhe me hasjen e disa paragjykimeve që në fazën fillestare të lëvizjes u tregua tepër i vullnetshëm për mbajtjen e tubimeve paqësore çka është një vlerë e shtuar për shoqërinë civile Shqiptare. Ky sektor kaq i ndjeshëm i shoqërisë edhe pse shumë pak i mbështetur financiarisht tregon mbi potencialin që ka shoqëria jonë për të arritur shpejt përqasjet evropiane për shumë probleme sociale.

Së fundmi, matematicieni grek Pitagora shprehej se: Për aq kohe sa njeriu masakron kafshët, ata do të vrasin njeri-tjetrin. Në fakt, kush është dëshmitar i vrasjes dhe vuajtjes nuk mund të korrë gëzim dhe dashuri.

Tiranë 9 Prill 2014,

Endri Haxhiraj

Instituti i Politikave Mjedisore

Aktivitete për pastrimin e Tiranës

Stafi i IPM-së dhe vullnetarët iu bashkuan nismës “Ta pastrojmë Shqipërinë në Një ditë 2013”. Gjatë ditës së pastrimit, grupi i IPM-së u përqendrua tek diga e liqenit te Parku i Madh i Tiranës dhe në bashkëpunim me organizata të tjera u bë evidentimi dhe mbledhja e një sasie të konsiderueshme mbeturinash nga liqeni. IPM-ja me anë të këtij aktiviteti synon të ndërgjegjësojë qytetarët e Tiranës që të mos hedhin apo të mos lejojnë të tjerët të hedhin mbeturina në liqen, në një prej zonave të pakta të gjelbëruara të qytetit.

 

Fushata – “Jo Patentimit të Farërave”

Instituti i Politikave Mjedisore është një prej organizatave shqiptare që mbështesin fushatën Kundra Patentimit të Farërave. Shumë organizata evropiane janë të shqetësuara për rritjen e numrit të patentave që jepen për bimët, farërat dhe kafshët e fermave dhe ndikimin e tyre tek inovacioni dhe biodiversiteti. Patenta të tilla mund të krijojnë varësi të reja për fermerët, mbarështuesit, prodhuesit e ushqimit dhe konsumatorët. Ato duhet të konsiderohen si keqpërdorim i burimeve bazë në fermë apo në prodhimin e ushqimit si dhe abuzim i përgjithshëm i të drejtës së patentës. Koalicioni kundra patentimit të biodiversitetit bëjnë thirrje për një rishikim urgjent të ligjit të patentave evropiane për bioteknologjinë dhe rritjen e bimëve dhe të mbështesë rregulla të qarta që përjashtojnë nga patentimi proceset e mbarështimit, materialit gjenetik, bimëve, kafshëve dhe ushqimit që rrjedhin prej tyre.

1618111_10152697401891165_378651218_o

Zbatimi i Konventës së Aarhusit në Shqipëri përpjekjet dhe zbatimi i politikave

Projekti “Zbatimi i Konventës së Aarhusit në Shqipëri përpjekjet dhe zbatimi i politikave” kreu një studim e hulumtim të gjendjes së zbatimit të Konventës së Aarhusit në Shqipëri, 13 vjet pas hyrjes së saj në fuqi. Projekti mblodhi informacionet e duhura nëpërmjet studimit dhe analizimit të legjislacionit në fuqi, raporteve, dokumenteve të politikave të ndryshme dhe studimeve të mëparshme në lidhje me zbatimin e Konventë së Aarhusit në Shqipëri, si dhe me anë të intervistimit personal dhe me anë të pyetësorëve të përfaqësuesve të organeve shtetërore, palëve të interesuara dhe shoqërisë civile. Faza e dytë e projektit ishte shkrimi i dokumentit të politikave, ku u shtjellua problematika dhe u nxorën përfundime e u dhanë rekomandime. Faza e fundit e projektit ishte shpërndarja e informacionit të nxjerrë nga ky dokument politikash, dhe lobimi i rekomandime te vendimmarrësit shqiptarë dhe palët e interesuara.

Projekti u financua nga Komisioni Evropian dhe Balkan Trust for Democracy.

Dokumenti i politikave mund të lmerret në formë të shtypur ose elektronike, duke kontaktuar te: iep@iep-al.org

Aktivitete me tematikë: “Efiçenca e energjisë dhe energjia e rinovueshme në banesa” e zhvilluar me nxënësit e shkollës së mesme teknike “Karl Gega”

Aktivitete me tematikë: “Efiçenca e energjisë dhe energjia e rinovueshme në banesa” e zhvilluar me nxënësit e shkollës së mesme teknike “Karl Gega”.

Në kuadër të iniciativave për zhvillimin e energjive të rinovueshme Instituti i Politikave Mjedisore (IEP) ka zhvilluar disa aktivitete me nxënësit e shkollës së mesme teknike “Karl Gega”. Instituti i Politikave Mjedisore e sheh arsimimin e të rinjve si pikë kyçe për të përmbushur kërkesat për punë profesionale në të ardhmen në fushat e Energjisë së Rinovueshme, Termoizolimit, Konsulencës Inxhinierike, etj. Kjo konsideratë shkon paralel edhe me politikat e qeverisë dhe në veçanti të “Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë”, mbi mbështetjen dhe zhvillimin e shkollave profesionale.

Konkretisht IEP ka zhvilluar një seri aktivitetesh që konsistuan me realizimin e seminareve me temë: “Efiçenca e energjisë dhe energjia e rinovueshme në banesa”, seminar pilot për shkollat profesionale dhe profesionistët e rinj.

Seminari i parë u mbajt me datë 26 Nëntor  2014.

Në këtë seminar u prezantuan aspekte teorike dhe praktike të punës për efiçencën e energjisë dhe energjitë e rinovueshme. Me qëllim vlerësimin e njohurive paraprake në lidhje me këtë temë, në fillim të seminarit u shpërnda një pyetësor i përbërë nga 10 pyetje, ku morën pjesë 25 nxënës të profilit ndërtim.