IPas një pune intensive 4 vjeçare, i gjithë ekipi i Institutit të Politikave Mjedisore është i lumtur që të përcjellë edhe vendimin zyrtar (më poshtë) për shpalljen Monument Natyre i një prej zonave ku rritet Tulipani Shqiptar. Në këtë ditë duhet kujtuar edhe kontributi i atyre që mundësuan plotësimin e të gjithë mozaikut për të arritur deri tek vendimi, Z. Besnik Hallaçi i cili me studimet dhe pasionin e tij dokumentoi praninë e species autoktone në qarkun e Kukësit, Z. Arben Palushi , i cili me këmbënguljen dhe pasionin e tij organizoi mbrojtjen lokale të tulipanit nga Bashkia Kukës , AdZM Kukës, Bashkinë dhe Këshillin Bashkiak Kukës, Qarku Kukës , Organizatat Mjedisore në Kukës dhe Shqipëri, Organizatës Inca Shqipëria , Qytetarët dhe Intelektualët e Kukësit dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit që kanë shprehur gjithnjë bashkëpunim për sa i përket mbrojtjes së Tulipanit Shqiptar, dhe veçanërisht Critical Ecosystem Partnership Fund për mbështetjen e tyre në këtë qëllim.
Vendimi mund të lexohet këtu
Author: IEP
Përmbyllja e veprimtarive të ripyllëzimit për klimën gjatë sezonit vjeshtë 2022-pranverë 2023
Instituti i Politikave Mjedisore mbylli fushatën e mbjelljeve për këtë sezon, nga tetor 2022 deri në javën e dytë të marsit 2023, duke mbjellur 1468 fidanë pishe të butë, pishe të egër, cedri dhe dafine, dhe 400 fara gështenje të egër. Këto fidanë u mbollën në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta, zonën e mbrojtur Kune-Vain, në Parkun Natyror Korab-Koritnik, Kukës dhe në zonën e Baldushkut (Tiranë). Për mbjelljen e fidanëve u angazhuan vullnetarë të Institutit të Politikave Mjedisore por edhe shumë banorë të zonës e dashamirës të mjedisit. Instituti i Politikave Mjedisore do e vazhdojnë këtë traditë edhe në vitet e ardhshme me qëllimin për të luftuar dhe për t’u përshtatur me ndryshimet klimatike por edhe për të sensibilizuar shoqërinë për rëndësinë që kanë pyjet për vendin dhe planetin. Mbjellja e këtyre fidanëve u mundësua nga Minor Foundation.
Veprimtari ripyllëzimi për klimën në Kukës
Instituti i Politikave Mjedisore të Premten e kaluar iu bashkua AdZM Kukës në kuadër të 100 vjetorit të Shërbimit Pyjor Shqiptar (27 Janar 1923) për mbjelljen e 320 pishave të zeza në parkun natyror Korab-Koritnik. Këto pyllëzime janë një barrierë shtesë ndaj efektit të ndryshimeve klimatike sikurse dhe do të sekuestrojnë karbon duke zbutur këtë efekt. Në ditët në vazhdim do të vijojmë me mbjellje të pemëve të llojeve të ndryshme në zona të ndryshme.
Veprimtari ndërgjegjësimi për rritjen e nivelit të detit në Vlorë
Instituti i Politikave Mjedisore zhvilloi më 13 Janar 2023 një veprimtari ndërgjegjësuese me qytetarët e Vlorës për të folur me ta mbi fenomenin shkatërrues që parashikojnë skenarët për vitet e ardhshme sikurse është edhe rritja e nivelit të detit në këtë pjesë të bregdetit. Instituti i Politikave Mjedisore prezantoi skenarët që parashikojnë se pjesë të rëndësisshme të qytetit duke përfshirë edhe “Lungomaren” do të gjenden nën ujë në 30 vitet e ardhshme. Pikërisht aty, pozicionuam edhe biçikletën e klimës për ta bërë sa më të qartë situatën.
Jemi shumë të kënaqur që rreth 500 qytetarë vlonjat, u takuan me aktivistin e klimës Gentian Stafa, të cilët shprehen të shqetësuar mbi këtë kërcënim dhe nevojën për të marrë masa ndaj Ndryshimeve Klimatike. Ata shprehen të dakordësuar që është e nevojshme më shumë angazhim në komunitet për të frenuar fenomenin që ndodhet tek porta. Ne shpresojmë që ata të përfshihen më shumë në aktivizëm për klimën dhe planetin.
Veprimtari pyllëzimi me mbjelljen e 500 pishave të buta në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta
Instituti i Politikave Mjedisore iu bashkua veprimtarisë për mbjelljet në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta këtë të diel më 8 janar, duke dhuruar 500 pisha të buta (Pinus pinea). Përveçse do të krijojnë një barrierë kundra përparimit të detit dhe do të rrisin pyllin e Divjakës, këto pisha do të sekuestrojnë karbon dhe në këtë mënyrë do të zbusin efektet e ndryshimeve klimatike. Në javët në vazhdim të janarit do të vazhdojmë me mbjellje të pemëve të llojeve të ndryshme në zona të tjera të vendit.
Veprimtari ndërgjegjësuese për rritjen e nivelit të detit në Durrës
Më 26 Dhjetor 2022, filluam javën me ndërgjegjësim për qytetarët e qytetit të Durrësit mbi fenomenin shkatërrues që parashikojnë skenarët për vitet e ardhshme sikurse është edhe rritja e nivelit të detit në këtë pjesë të bregdetit. Skenarët parashikojnë se pjesë të rëndësisshme të qytetit antik do të gjenden nën ujë në 30 vitet e ardhshme .
Aktivisti Gentian Stafa, nga Instituti i Politikave Mjedisore/Institute for Environmental Policy, komunikoi me banorët e Durrësit duke i njohur ata mbi kërcënimin dhe nevojën për të marrë masa ndaj Ndryshimeve Klimatike. Përveçse të rinjve, edhe të moshuarit duke se janë ndër personat më të shqetësuar dhe të interesuar për të bashkëbiseduar. Ne shpresojmë që ata të përfshihen më shumë në aktivizëm për klimën dhe planetin.
Takim me nxënës për të prezantuar kompostimin e mbetjeve organike
Këtë fundjavë, Instituti i Politikave Mjedisore/Institute for Environmental Policy zhvilloi një takim prezantues me nxënës në Baldushk, Tiranë. Eksperti i projektit, Gentian Stafa i njohu të rinjtë me projektin që IEP po zhvillon në kuadër të Green-AL për kompostimin e mbetjeve në nivel ferme në këtë zonë. Të rinjtë u njohën me ndikimin që ka patur ndotja mjedisore nga mbetjet organike sikurse edhe ndikimin tek çlirimi i gazrave me efekt serë drejtpërdrejtë dhe tërthorazi e se si fermerët dhe mjedisi po përfitojnë konkretisht nga prodhimi i humusit nga procesi i kompostimit në fermat e tyre.
Projekti GreenAL “Fuqizimi i Organizatave të Shoqërisë Civile për Mbrojtjen e Mjedisit në Shqipëri” financohet nga Agjencia Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim me fondet e Qeverisë Suedeze dhe zbatohet nga Co-PLAN Institute for Habitat Development në bashkëpunim me organizatat CISP Sviluppo dei Popoli, VIS Albania dhe COSV – Cooperazione per lo Sviluppo.
IPM do të marrë pjesë në Konferencën Botërore të Politikave për Kafshët, në Bruksel në datat 10-11 dhjetor 2022
Fushata e ripyllëzimit me fara gështenjash të egra
IPM përmbylli me sukses fushatën e ripyllëzimit gjatë muajve tetor-nëntor 2022 duke mbjellë mbi 600 fara gështenjash të egra (Aesculus hippocastanum), pemë vendase e Shqipërisë dhe simbol i IPM-së. Kjo është fushata e dytë që IPM po ndërmerr për të rritur popullatën e gështenjës së egër në vendin tonë, një lloj i rrezikuar në mënyrë kritike në vendin tonë. Në tetor-nëntor 2021, IPM mbolli mbi 400 fara gështenjash të egra, fara që u mblodhën dhe mbollën nga stafi dhe vullnetarët e IPM-së.
Zonat ku u krye ripyllëzimi janë kodrat e Baldushkut dhe Farkës në Tiranë. Farat u mbollën në vende të përshtatshme për rritjen e tyre.
Gjatë monitorimit të mbjelljeve të vitit 2021, IPM vuri re se mbi 80% e fara kishin mbirë dhe ishin rritur. Përveç gështenjave të egra, IPM mbolli dhe lende lisash të llojeve si Quercus cerris, Quercus Frainetto, dhe Quercus petraea. Kjo veprimtari është një aksion i drejpërdrejtë kundër nxehjes globale/krizës klimatike. Në 6-7 vjet, këto pemë do të sekuestrojnë rreth 10-20 tonë CO2 në vit.
Kjo veprimtari u mbështet nga Minor Foundation for Major Challenges nëpërmjet projektit Veprim për klimën në Shqipëri – Marrëveshja e Gjelbër Shqiptare.
Rekomandimet e shoqërisë civile për qeveritë e Ballkanit Perëndimor
Forumi i Shoqërisë Civile dhe Think Tank 2022 mblodhi së bashku këtë fillim Nëntori më shumë se 100 përfaqësues të ndryshëm si grupe studimore, shoqëri civile dhe ekspertë në fushat përkatëse për të ofruar rekomandime mbi procesin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në këto takime mori pjesë edhe përfaqësuesi i lartë i qeverisë gjermane dhe Përfaqësuesi Special i Qeverisë Federale Gjermane për vendet e Ballkanit Perëndimor, z. Manuel Sarrazin.
Instituti i Politikave Mjedisore, i përfaqësuar nga Endri Haxhiraj, pati rastin të takojë znj. Ursula VON DER LEYEN e cila pati durimin të dëgjojë shkurtimisht disa nga shqetësimet e shoqërisë civile në Ballkan dhe besimin që OSHC-të mjedisore kanë lidhur me udhëheqjen e saj të Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane (EGD) dhe reflektimin e EGD-ve në shoqërinë e Ballkanit Perëndimor.
Forumi i Shoqërisë Civile dhe Think Tank 2022, në rekomandimet që përcjellin për qeveritë e Ballkanit Perëndimor kërkojnë rritjen e përpjekjeve në lidhje me zbatimin e ligjit, për zbutjen/përshtatjen e klimës dhe masat e mbrojtjes së mjedisit.
Një rekomandim që vlen për tu theksuar dhe që kërkon vëmendje, i drejtohet qeverive të Ballkanit Perëndimor për “të gjetur qasje që i japin njerëzve cilësinë e jetës që ata kërkojnë duke mbrojtur sistemin mjedisor që është gjithashtu themeli i mirëqënies tonë. Të gjithë aktorët duhet të përfshihen në proces, jo vetëm ata që janë aktivë në fushën e mjedisit”.
Për më shumë, mund të ndiqni dhe rregjistrimet e paneleve të diskutimit: https://youtu.be/Oy24aYmeoa4
#CSF2022 organizohet nga Aspen Institute Germany dhe Südosteuropa-Gesellschaft e.V. me mbështetjen e Ministrisë së Jashtme Federale të Qeverisë Gjermane.
Rekomandimet e pregatitura tashmë në gjuhën Shqipe, mund t’i lexoni këtu.