Zbatimi i Konventës së Aarhusit në Shqipëri përpjekjet dhe zbatimi i politikave

Projekti “Zbatimi i Konventës së Aarhusit në Shqipëri përpjekjet dhe zbatimi i politikave” kreu një studim e hulumtim të gjendjes së zbatimit të Konventës së Aarhusit në Shqipëri, 13 vjet pas hyrjes së saj në fuqi. Projekti mblodhi informacionet e duhura nëpërmjet studimit dhe analizimit të legjislacionit në fuqi, raporteve, dokumenteve të politikave të ndryshme dhe studimeve të mëparshme në lidhje me zbatimin e Konventë së Aarhusit në Shqipëri, si dhe me anë të intervistimit personal dhe me anë të pyetësorëve të përfaqësuesve të organeve shtetërore, palëve të interesuara dhe shoqërisë civile. Faza e dytë e projektit ishte shkrimi i dokumentit të politikave, ku u shtjellua problematika dhe u nxorën përfundime e u dhanë rekomandime. Faza e fundit e projektit ishte shpërndarja e informacionit të nxjerrë nga ky dokument politikash, dhe lobimi i rekomandime te vendimmarrësit shqiptarë dhe palët e interesuara.

Projekti u financua nga Komisioni Evropian dhe Balkan Trust for Democracy.

Dokumenti i politikave mund të lmerret në formë të shtypur ose elektronike, duke kontaktuar te: iep@iep-al.org

Aktivitete me tematikë: “Efiçenca e energjisë dhe energjia e rinovueshme në banesa” e zhvilluar me nxënësit e shkollës së mesme teknike “Karl Gega”

Aktivitete me tematikë: “Efiçenca e energjisë dhe energjia e rinovueshme në banesa” e zhvilluar me nxënësit e shkollës së mesme teknike “Karl Gega”.

Në kuadër të iniciativave për zhvillimin e energjive të rinovueshme Instituti i Politikave Mjedisore (IEP) ka zhvilluar disa aktivitete me nxënësit e shkollës së mesme teknike “Karl Gega”. Instituti i Politikave Mjedisore e sheh arsimimin e të rinjve si pikë kyçe për të përmbushur kërkesat për punë profesionale në të ardhmen në fushat e Energjisë së Rinovueshme, Termoizolimit, Konsulencës Inxhinierike, etj. Kjo konsideratë shkon paralel edhe me politikat e qeverisë dhe në veçanti të “Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë”, mbi mbështetjen dhe zhvillimin e shkollave profesionale.

Konkretisht IEP ka zhvilluar një seri aktivitetesh që konsistuan me realizimin e seminareve me temë: “Efiçenca e energjisë dhe energjia e rinovueshme në banesa”, seminar pilot për shkollat profesionale dhe profesionistët e rinj.

Seminari i parë u mbajt me datë 26 Nëntor  2014.

Në këtë seminar u prezantuan aspekte teorike dhe praktike të punës për efiçencën e energjisë dhe energjitë e rinovueshme. Me qëllim vlerësimin e njohurive paraprake në lidhje me këtë temë, në fillim të seminarit u shpërnda një pyetësor i përbërë nga 10 pyetje, ku morën pjesë 25 nxënës të profilit ndërtim.