Nga Endri Haxhiraj,
Hyrje
Ky punim synon të informojë autoritetet lokale/qëndrore për rëndësinë e investimeve në strehim, mbi bazën se ai jo vetëm përmirëson shëndetin e njerëzve dhe shanset e barabarta për jetesën, por që ka kuptim të shëndoshë ekonomik dhe që mund të kursejë para me kalimin e kohës.
Politikat për strehim të shëndetshëm
Varfëria, strehimi dhe shëndeti i dobët zakonisht janë të lidhura me njëra tjetrën, kjo do të thotë se është e vështirë të matësh përfitimet shëndetësore vetëm nga përmirësimi i kushteve të strehimit.
Tashmë ekziston lidhja midis strehimi të varfër dhe shëndetit të dobët. Shumë studime ndër-sektoriale kanë raportuar lidhje të qëndrueshme statistikore midis kushteve të këqija të banimit dhe shëndetit të dobët.
Kushtet e papërshtatshme të strehimit zakonisht prekin më të dobëtit dhe për më tepër ata që i vuajnë këto pasoja janë grupet vulnerabël të shoqërisë. Në përgjithësi ata të cilët përdorin më shumë e kërkojnë kushte më të mira strehimi janë të rinjtë, të moshuarit, të sëmurët dhe të papunët, që përfaqësojnë dhe nëngrupet më të ekspozuara nga rreziqet mjedisore (6). Ky grup vulnerabël, është midis atyre me më shumë gjasa për të jetuar në strehim të dobët dhe gjithashtu priren për të kaluar më shumë kohë në shtëpitë e tyre të ekspozuar ndaj rreziqeve potencialë të mjedisit (1).
Ata që kanë një strehim të dobët kanë më shumë gjasa të jenë të privuar socio-ekonomikisht dhe sëmuren për një kohë të gjatë.
Në këtë kontekst, hulumtuesit tregojnë se çfarë ndikimi të dobishëm shëndetësor ka përmirësimi i izolimin e brendshëm të banesave. Më tej ata mbështesin hipotezën se barra ekonomike e sëmundjeve nga të ftohtit mund të reduktohet nga masat që merren për përmirësimin e ngrohjes së shtëpive (4).
Strehimi i shëndetshëm dhe i sigurt duhet të jetë një kërkesë themelore për çdo shoqëri. Pasojat e sëmundjeve të lidhura me strehimin e papërshtatshëm, justifikojnë qasjen ndaj politikave për strehim të shëndetshëm. Strategjitë dhe politikat e strehimit janë komplekse dhe përfshijnë planifikimin dhe ndërtimin e banesave ndjekur nga përmirësimi, rinovimi dhe rikonstruksioni. Kjo nënkupton që strategjitë dhe politikat për strehim të shëndetshëm duhet të jenë gjithëpërfshirëse dhe duhet të përfshijnë një gamë të gjerë profesionesh (6).
Më konkretisht, autoriteteve lokale (Bashkitë, Komunat) kanë disa kompetenca dhe funksione që mund të promovojnë strehimin e shëndetshëm dhe të lehtësojnë kushtet të cilat kërcënojnë shëndetin dhe sigurinë.
Fillimisht, shërbimet sociale lokale duhet të njohin rolin që mund të japë strehimi i varfër në shëndetin dhe mirëqenien e banorëve dhe kur është e përshtatshme të bashkëpunojë me agjenci të tjera.
Së dyti autoritetet lokale zakonisht kanë përgjegjësi për nevojat e strehimit për zonën e tyre dhe për zhvillimin dhe zbatimin e strategjive të strehimit. Strategji të tilla përfshijë sigurimin e shtëpive të reja, skema për zëvendësimin e shtëpive të vjetra dhe aplikimin dhe zbatimin e standardeve. Rëndësia e veçantë në këtë pikë marrin masat infrastrukturore për të krijuar kushtet e një strehimi të shëndetshëm.
Së treti, organet publike të strehimit janë në një pozicion që kanë kompetencën për menaxhimin adekuat për të mirën e shëndetit dhe cilësisë së jetës së banorëve të tyre.
Investimet për përmirësimin e kushteve të banimit janë një mjet për përmirësimin e kushteve të jetesës së grupeve me të ardhura të ulëta në rrezik të madh shëndetësor dhe është një mjet potencial përmes të cilit politikat publike mund të përmirësojnë shëndetin dhe të zvogëlojnë pabarazitë shoqërore dhe shëndetësore.
Cilësia e banimit dhe shëndeti mendor
Ka disa arsye të mundshme pse strehimi me cilësi të dobët mund të ndikojë në shëndetin mendor.
Strehimi simbolizon identitetin e vetvetes dhe në këtë mënyrë strehimi i papërshtatshëm mund të çojë në stigmatizimin dhe ndjenjat e paaftësisë. Strehimi i varfër është stresues në disa aspekte më shumë shqetësime rreth rreziqeve dhe sigurisë (veçanërisht nëse janë të përfshirë fëmijët dhe mosha e tretë), mirëmbajtjen, shqetësimet financiare të lidhura jo vetëm me strehimin në vetvete, por dhe me faturat e shërbimit (p.sh., faturat e rrymës elektrike) (2).
Aspektet prindërore si përgjigjja ndaj nevojave të fëmijëve dhe mbikëqyrja e tyre, mund të ndërpriten kur prindërit përballen me vështirësi të vazhdueshme për banimin jo adekuat.
Së fundi për shumë njerëz, shtëpia e tyre është një strehë, një vend ku çlodhen nga stresi dhe tendosjet e jetës së përditshme dhe të punës, por për ata me strehim të papërshtatshëm, shtëpia mund të thotë më shumë vështirësi e jo më një vend strehimi (3).
Kosto ekonomike e strehimit jo të shëndetshëm- rasti studimit të Anglisë
Puna për matjen e “kostove të eksportuara” e strehimit jo të shëndetshëm është zhvilluar e pavarur në një numër vendesh. Sipas një studimi në Angli argumentohet se Shërbimi Shëndetësor Kombëtar në Mbretërinë e Bashkuar (NHS) rreth viteve ’90 harxhonte rreth 1/5 e buxhetit të tij për shëndetësinë duke u përpjekur për të kuruar sëmundjet që shkaktoheshin nga papunësia, varfëria, strehimi i keq dhe ndotja e mjedisit (5).
Më konkretisht, shpenzimet për trajtimin e sëmundjeve shëndetësore që rridhnin nga strehimi me standard të ulët është vlerësuar në 2.4 billion £ (stërlina) në vit (sipas Federatës Kombëtare të Banesave, 1997) (7). Kështu kostoja e plotë e një strehimi jo të shëndetshëm për shoqërinë është vlerësuar të jetë rreth 1.5 miliard £ (rreth 1.8 miliardë €) në vit. Kjo kosto në fakt mund të duket mjaft e ulët po të krahasohet me vlerësimet që janë bërë në të kaluarën. Megjithatë, duhet theksuar se ky vlerësim merr në konsideratë zvogëlimin e pasojave por jo në mënjanimin total të rrezikut ose ngritjen e standardit të gjitha strehimeve në një nivel optimal.
Si zgjidhje për situatën, kjo do të përkthehej në një kosto të hershme të parapaguar për të patur kosto totale më të ulur në të ardhmen.
Referenca
1- British Medical Association Board of Science and Education (2003). Housing and health: building for the future. London, British Medical Association Board of Science and Education.
(http://www.bma.org.uk/ap.nsf/AttachmentsByTitle/PDFhousinghealth/$FILE/Housinghealth.pdf, accessed October 2007),
2- Evans GW, Wells NM, Moch A (2003). Housing and mental health: A review of the evidence and a methodological and conceptual critique. Journal of Social Issues, 59:475-500.
3- Evans GW et al. (2000). Housing quality and mental health. Journal of Consulting and Clinical Psychology 68:526- 530.
4- Howden-Chapman P et al. (2007). Effect of insulating existing houses on health inequality: cluster randomized study in the community. British Medical Journal, 334:460-464.
5- Lawson R (1997). Bills of Health. Oxford, Radcliffe Medical Press.
6- Braubach, M., Jacobs, D.E., Ormandy, D., Environmental burden of disease
associated with inadequate housing, WHO, 2011.
7- National Housing Federation (1997). Housing for Health. London, National Housing Federation.