Ndryshimet klimatike/kriza klimatike


Çfarë janë ndryshimet klimatike ose kriza klimatike?

Së pari duhet të bëjmë dallimin mes klimës e motit.
Klima është gjendja mesatare shumëvjeçare e motit në një vend të caktuar.
Ndërsa moti është gjendja e atmosferës në një kohë e në një vend të caktuar, e cila përcaktohet nga një varg dukurish (nga erërat, reshjet, temperatura etj.); tërësia e këtyre dukurive që zhvillohen në shtresën e ulët të atmosferës së një vendi në një kohë të caktuar, kohë.
Ndryshimet klimatike janë zhvendosjet e kësaj gjendje mesatare shumëvjeçare të motit.

Ndryshimi shumë i shpejtë i klimës apo kriza klimatike që po shohim këto dhjetëvjeçarët e fundit, është shkaktuar e po shkaktohet nga shkarkimet nga aktiviteti njerëzor i gazrave serrë ku më të zakonshmit janë dyoksidi i karbonit (CO2) dhe gazi metan (CH4). Kjo ka sjellë një krizë klimatike, ku klima po ndryshon me shpejtësi të papara ndonjëherë në mënyrë natyrale nga planeti Tokë. Pra, kriza klimatike është pasoja e ndotjes globale të atmosferës të shkaktuar nga njerëzimi.

Gazrat serrë shkarkohet nga veprimtari njerëzore si djegia e naftës, qymyrit, gazit, për transport, ngrohje, prodhim elektriciteti, industri etj. Metani shkarkohet kryesisht nga bujqësia në shkallë industriale e rritjes së kafshëve për mish, nga grumbullimi i mbeturinave organike në gropa ku kalben në mënyrë anaerobike dhe shkaktojnë gaz metan, si dhe nga hedhja në atmosferë e gazit kur bëhen shpime për naftë.
Gazrat serrë krijojnë efektin serrë, duke u grumbulluar në atmosferë e duke krijuar një shtresë që nuk lejon nxehtësinë nga Dielli që hyn në Tokë, që të dalë nëpërmjet atmosferës. Pak a shumë si roli i xhamit në serra.
Karboni është një element i rëndësishëm në Tokë, por nëse përqendrimi i tij në atmosferë (i matur në pjesëza për milionë – ppm) rritet edhe me pak ppm, shkakton ndryshime të klimës së pasojë e efektit serrë.
Ekosistemet lëshojnë karbon, por ata përthithin aq karbon sa lëshojnë, duke mbajtur klimën në ekuilibër.
Veprimtaria njerëzore që prej Revolucionit Industrial e ka prishur këtë balancë, duke shkarkuar më shumë karbon në atmosferë sesa mund të përthithin ekosistemet. Nga ana tjetër, njeriu ka shkatërruar një pjesë të madhe të ekosistemeve, ku më të rëndësishmit janë pyjet, duke ulur aftësinë përthithëse të karbonit.
Kjo ka shkaktuar rritje me gati 1,2 °C në krahasim me temperaturën në shekullin e 19-të.

Tashmë, përqendrimi i CO2 në atmosferë ka arritur në 417 ppm, kur sasia e konsideruar si e sigurt për një klimë të qëndrueshme për jetesën në Tokë të njeriut është poshtë 350 ppm.


Cikli i plotë i karbonit. Burimi: Raporti i IPCC-së AR4



Përqendrimi i CO2 gjatë 800 000 viteve të fundit, matur nga CO2 i ruajtur në akull.
Burimi: Scripps Institution of Oceanography, UC San Diego 



Përqendrimi i CO2 gjatë 60 viteve të fundit, matur nga Observatori Mauna Loa
Burimi: Scripps Institution of Oceanography, UC San Diego



Përqendrimi i CO2 gjatë 2019-2021, matur nga Observatori Mauna Loa
Burimi: Scripps Institution of Oceanography, UC San Diego


IPCC (Intergovernmental Panel on Climate Change) është organizmi ndërkombëtar i Kombeve të Bashkuara (OKB) për vlerësimin e shkencës së ndryshimeve klimatike. IPCC u krijua që të përpilojë në mënyrë sistematike për politikëbërësit, vlerësime shkencore për ndryshimet klimatike, ndërlikimet dhe rreziqet e ardhshme, dhe që të hartojë mundësitë për zbutje dhe përshtatje ndaj ndryshimeve klimatike. Raportet e IPCC-së përpilohet nga mijëra shkencëtarë nga pothuajse të gjithë shtetet e botës. Dokumentet rishikohen e vlerësohen në një sërë fazash. IPCC është krijuar nga UNEP (Programi i OKB-së për mjedisin) në 1988-ën dhe ka 195 shtete anëtare.

Studimet, faktet e analizat e këtyre 3-4 dhjetëvjeçarëve të fundit, tashmë të ndihmuar edhe nga një teknologji shumë e përparuar, tregojnë që veprimtaria njerëzore po e ngroh planetin, por me një shpejtësi krejtësisht jonormale e jonatyrale.

Pikat kryesore të raportit të 2021-it të IPCC-së:

  • Temperatura globale sipërfaqësore është 1,09°C më e lartë në dhjetëvjeçarin 2011-2020 sesa në 1850-1900.
  • 5 vitet e fundit kanë qenë më të nxehtat që prej 1850-ës.
  • Shkalla e rritjes së nivelit të detit është trefishuar në krahasim me 1901-1971.
  • Një rritje me më shumë se 1,5°C do të arrihet brenda 2040-ës në të gjithë skenarët. Nëse shkarkimet e CO2-shit dhe metanit nuk ulen masivisht brenda pak viteve të ardhshme, kjo rritje do të ndodhë edhe më shpejt.
  • Njerëzimi ka shkarkuar deri tani 2400 miliardë tonë CO2 dhe mbeten edhe 500 miliardë tonë CO2 që të kemi një mundësi 50 me 50 që të mbetemi nën 1,5°C rritje. Njerëzimi shkarkon 40 miliardë tonë CO2 çdo vit. Që do të thotë që duhet të përgjysmojmë shkarkimet tona brenda 2030-ës dhe të arrijmë shkarkime neto zero brenda 2050-ës.
  • Rezultate të shpejta mund të arrihen për të kufizuar ndikimin e nxehjes globale, duke ulur shkarkimet e gazit metan, që janë më të lehta për t’u ulur. Metani është një gaz serrë 80 herë më i fuqishëm sesa CO2-shi. Ulja e metanit do të krijonte kohë për njerëzimin për të ulur shkarkimet e CO2-shit. Shkarkuesit kryesorë të metanit janë industria e naftës (gjatë shpimeve për naftë), industria e rritjes së mishit/blegtoria, dhe menaxhimi i gabuar i mbetjeve. Që të ulim shkarkimet e metanit, duhet që njerëzimi të ndalojë shkarkimin e metanit nga puset e naftës (mund ta kapë dhe ta përdorë atë), të ulë sa më shumë konsumin e mishit, dhe të kompostojë të gjitha mbetjet organike e jo t’i çojë ato nëpër venddepozitime ku kalbëzohet në mënyrë anaerobike dhe prodhojnë metan.
  • Niveli i deteve e oqeaneve do të vazhdojë të rritet edhe sikur njerëzimi të ndalonte të gjitha shkarkimet në këtë çast. Niveli i deteve do të rritet për shekujt me rradhë si pasojë e ngrohjes së thellësive të oqeaneve. Nëse arrijmë të ulim shkarkime në mënyrë drastike, niveli i detit do të rritet me rreth 0,5 m. Por nëse vazhdojmë të shkarkojmë me ritmet e tanishme, niveli i detit do të rritet me 1 m më shumë brenda 2100-ës, por disa përllogaritje nuk e përjashtojnë edhe rritjen me mbi 2 m. Që do të thotë që Republika e Shqipërisë do të humbasë pjesën më të madhe të qyteteve bregdetare brenda 2050-2060.

    Harta e re e Shqipërisë do të duket kështu brenda 2050-ës dhe vetëm me 0,5m rritje niveli të detit:


Qytetet kryesore si Lezha, Durrësi, Divjaka e Vlora, do të gjenden të rrethuara nga uji ose nën ujë:


Velipoja dhe Lezha në 2050-ën me vetëm 0,5 m rritje niveli të detit

Durrësi në 2050-ën me 0,5 rritje niveli deti
Durrësi në 2050-ën me vetëm 0,5m rritje niveli të detit


Divjaka në 2050-ën me vetëm 0,5m rritje niveli të detit


Vlora e Narta në 2050-ën me vetëm 0,5m rritje niveli të detit

Video nga Instituti i Politikave Mjedisore që tregon rritjen e nivelit të detit dhe përparimi i tij drejt tokës, në Qerret, Kavajë, shtator 2021



Politikat e tanishme të shteteve të globit, na çojnë në një rritje prej 2,4°C-2,7°C, që do ishte me pasoja fatale për njerëzimin, brenda këtij shekulli. Pasojat me infografik të thjeshtë janë të paraqitura më poshtë:

Burimi: UNEP

Çfarë mund të bëj unë për ta ndalur apo luftuar krizën klimatike?

Një person ndikon shumë në krizën klimatike edhe gjatë jetës së tij të përditshme. Pjesa më e madhe e karbonit dhe metanit që individët shkaktojnë, vjen nga ushqimi që hanë, mënyra sesi lëvizin, dhe konsumi i përditshëm i produkteve e shërbimeve. Në rast se doni që të ulni ndikimin tuaj në krizën klimatike, atëherë mund të ndikoni me anë të:

1. Hiqni dorë nga produktet shtazore, ose të paktën zvogëloni sa më shumë sasinë e mishit që konsumoni. Kjo është mënyra më e lehtë dhe më e drejtpërdrejtë sesi ndikoni jo vetëm në krizën klimatike, por edhe në ndikimin që ka blegtoria në mjedis. Sa më pak mish, aq më pak ndikim në klimë e mjedis! Por, kini kujdes që të konsumoni produkte bimore vendore, ose të paktën produkte që nuk vijnë nga mijëra km larg.

2. Blini sa më pak. Konsumerizmi është ai që po shkatërron e ndot planetin, e si pasojë po shkatërron dhe klimën globale. A keni me të vërtetë nevojë për 30 palë pantallona? Ndoshta vetëm disa palë do të mjaftonin. Dhe nëse rrobat janë dëmtuar pak, mund të riparohen e nuk ka nevojë që të blini të reja.

3. Kontrolloni mënyrën sesi lëvizni. A ju duhet me të vërtetë të merrni taksi edhe për një largësi prej 2-3 km? Nëse po, pse nuk zgjidhni një taksi elektrike? Është edhe më e lirë se ajo me karburant. A ju duhet patjetër të udhëtoni 7000 km që të shkoni për pushime? A keni eksploruar atë luginën pas malit që keni përballë qytetit tuaj? Mund të shkosh aty edhe me biçikletë e transport publik. Vizitoni më shumë ato që keni afër, e kështu do të njihni më shumë vendin tuaj dhe vetveten.

Dhe ajo që është më e rëndësishmja, advokoni/loboni te politikëbërësit e vendimmarrësit që të ulim sa më shpejtë shkarkimet e CO2 dhe metanit, si dhe të kthejmë ekonominë në një ekonomi të gjelbër që i bën ballë pasojave të krizës klimatike.

Instituti i Politikave Mjedisore ka përgatitur e po advokon për një Marrëveshje të Gjelbër Shqiptare për të luftuar krizën klimatike:



PROPOZIME KONKRETE PËR MARRËVESHJEN SHQIPTARE

1. Energjia: Shqipëria duhet të investojë masivisht në energjinë diellore e atë të erës, të rrisë efiçencën e energjisë dhe të ulë humbjet e prodhimit të energjisë nga thatësirat në verë apo stinë të tjera.

2. Masa kundra rritjes së nivelit të detit: Masa në të gjithë vendin, për të ndërtuar valëpritëse e valëthyese, argjinatura, të ndalohet tërësisht marrja e zhavorrit nga shtretërit e lumenjve, të lëshohen sedimentet që mbahen nga digat e HEC-eve, dhe të bëhet zhvendosja e një pjese të qyteteve që preken nga rritja e nivelit të detit. Në disa vende, duhet ndërhyrë me mbushje e ngritje të terrenit me inerte.

3. Transport i pastër: Të investojë në një transport publik modern e elektrik e hekurudha që të ulë ndotjen e ajrit në qytete. Lehtësira fiskale duhet të ofrohen për makinat hibride e elektrike, dhe investimet në hekurudha duhet të jenë prioritet.

4. Ruajtja e burimeve ujore: Të ruhen rezervat ujore, duke krijuar rezervuarë të rinj për bujqësinë dhe ujin e pijshëm, ulja e rrjedhjeve në rrjet, ripyllëzimi i maleve pasi pemët kapin avujt e krijojnë shiun në male, ruajtja e lumenjve dhe heqja e HEC-eve të vegjël që shkatërrojnë lumenjtë, kapja dhe mbajtja e ujit të shiut, çasfaltimi dhe zhbetonizimi i sa më shumë sipërfaqeve në qytete, që të lejojë ujin të futet në shtresat nëntokësorë e të mbushë rezervat ujore nëntokësore.

5. Rigjelbërimi i vendit: Masa e plane për t’u përballur me valët e të nxehtit, si krijimi i hijeve nëpër rrugë, mbjellja e sa më shumë pemëve në qytete dhe mosprerja e pemëve ekzistuese, sidomos atyre të vjetra, krijimi i tarracave të gjelbra me detyrim, për të mbajtur fresk ndërtesat në verë e ngrohtë në dimër, mbjellja e bimëve kacavjerrëse në sa më shumë pallate, që të mbajnë fresk muret.

6. Ulja e ndotjes së ajrit: Ulja e prodhimit të çimentos/betonit, që shkakton shkarkime të mëdha të CO2 dhe ndotje në atmosferë.

7. Bujqësi e shëndetshme dhe miqësore me mjedisin: Veprime për uljen e konsumit të mishit. Nxitja e agropylltarisë dhe bujqësisë me vlera të larta natyrore, të cilat të bëhen modeli për bujqësinë.

8. Rritja e ambicies për uljen e shkarkimeve të CO2: Nga 11,5% që është tani, në 30% apo më tepër deri në 2030-ën, që të jemi në një linjë me BE-në.

9. Nxitja e ekonomisë qarkulluese, ricikluese dhe artizane në qytete.

10.Ripyllëzimi i vendit me pemë vendase: Mbjellje masive e pyjeve në çdo copë tokë të mundshme. Masa ndëshkuese të ashpra për zjarret e vëna, dhe ndalimi i djegies së arave e mbeturinave bimore.