Aktivitete me tematikë: “Efiçenca e energjisë dhe energjia e rinovueshme në banesa” e zhvilluar me nxënësit e shkollës së mesme teknike “Karl Gega”.
Në kuadër të iniciativave për zhvillimin e energjive të rinovueshme Instituti i Politikave Mjedisore (IEP) ka zhvilluar disa aktivitete me nxënësit e shkollës së mesme teknike “Karl Gega”. Instituti i Politikave Mjedisore e sheh arsimimin e të rinjve si pikë kyçe për të përmbushur kërkesat për punë profesionale në të ardhmen në fushat e Energjisë së Rinovueshme, Termoizolimit, Konsulencës Inxhinierike, etj. Kjo konsideratë shkon paralel edhe me politikat e qeverisë dhe në veçanti të “Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë”, mbi mbështetjen dhe zhvillimin e shkollave profesionale.
Konkretisht IEP ka zhvilluar një seri aktivitetesh që konsistuan me realizimin e seminareve me temë: “Efiçenca e energjisë dhe energjia e rinovueshme në banesa”, seminar pilot për shkollat profesionale dhe profesionistët e rinj.
Seminari i parë u mbajt me datë 26 Nëntor 2014.
Në këtë seminar u prezantuan aspekte teorike dhe praktike të punës për efiçencën e energjisë dhe energjitë e rinovueshme. Me qëllim vlerësimin e njohurive paraprake në lidhje me këtë temë, në fillim të seminarit u shpërnda një pyetësor i përbërë nga 10 pyetje, ku morën pjesë 25 nxënës të profilit ndërtim.