Monitorim i 3 OJF-ve përfituese nga programi i nëngrantimit

Gjatë muajit prill 2018, stafi i IPM-së, bëri vizita monitorimi në 3 OJF-të nga Republika e Shqipërisë, përfituese nga komponenti i nëngrantimit të projekteve, në kuadër të projektit rajonal „Bujqësi e qëndrueshme për një Ballkan të qëndrueshëm: Fuqizimi i organizatave të shoqërisë civilepër avokim dhe zhvillim të politikave në Ballkanin Perëndimor“ ka për qëllim fuqizimin e kapaciteteve të organizatave të shoqërisë civile për avokim publik dhe zhvillim të politikave rajonale në fushën e bujqësisë së qëndrueshme, mbrojtjen e biodiversitetit dhe mirëqenien e kafshëve në Ballkanin Perëndimor.
OJF-të përfituese të këtij komponenti kanë zbatuar dhe janë duke zbatuar projektet gjatë periudhës qershor 2017 – qershor 2018.
OJF-të përfituese janë:
1) Shoqata „Royal Albania Foundation“. Projekti: “Advokimi në fushën e shëndetit, produktivitetit dhe mirëqenies së ripërtypësve të vegjël në zonat rurale të rajonit të Gjirokastrës në Shqipërinë e jugut”
2) Shoqata „Qendra e Studimit të Burimeve Natyrore QSK NATYRA”. Projekti: “Konsolidimi i tokës bujqësore si një instrument për zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë”
3) Shoqata „Qendra për menaxhim agro-ekologjik dhe ekonomik“ (AEEMC). Projekti: “Advokim për një politikë të decentralizuar, pjesëmarrëse dhe të integruar të ujit”

Konferencë rajonale për median në Ballkanin Perëndimor

Konferenca rajonale “Media, OJF-të dhe bujqësia e qëndrueshme”, bashkuan në një “tryezë të qëndrueshme” përfaqësues nga mediat e Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë.
Konferenca u mbajt në Zrenjanin, Serbi, në datat 15-17 dhjetor 2017 dhe në të morën pjesë më shumë se 30 gazetarë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Serbia. Konferenca u bë në kuadër të projektit “Bujqësi e qëndrueshme për një Ballkan të qëndrueshëm”, që financohet nga BE dhe zbatohet nga konsorciumi i OJF-ve me në krye ORCA-n, dhe ku Instituti i Politikave Mjedisore është partneri përfaqësues i Republikës së Shqipërisë. Në konferencë morën pjesë edhe përfaqësuesit e OJF-ve partnere në projekt.
Qëllimi i konferencës ishte që të ndante te pjesëmarrësit informacion të dobishëm rreth çështjeve kryesore që lidhen me bujqësinë e qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor, si mbrojtja e natyrës në zonat bujqësore, ndikimet e ndryshimeve klimatike në bujqësi, rëndësia e mirëqenies së bagëtive e kafshëve të tjera të prodhimit, si dhe përvojat në aplikimin e masave agro-mjedisore në Maqedoni e Serbi.

Gazetarët ndanë gjithashtu përvojat dhe idetë e tyre me kolegët nga vendet e rajonit. “Tryeza e qëndrueshme”, ishte një tryezë me ushqime e produkte vendore nga vendet pjesëmarrëse të Ballkanit Perëndimor dhe që u sollën nga vetë pjesëmarrësit, si p.sh. proshutë, djathë e verë nga Mali i Zi, kek, bozë, raki dhe konjak nga Shqipëria, biskota, fruta të that, ajvar dhe raki nga Maqedonia dhe reçelna e çokollata nga Serbia. Pjesëmarrësit vizituan gjithashtu dhe kështjellën Kashtel në Eçka, ku udhërrëfyesi turistik foli për historinë dhe zhvillimin e bujqësisë në këtë pjesë të qarkut Banat në Vojvodinë, Serbi.

Foto nga aktiviteti:

“Bëj një ndryshim për kafshët endacake” – Takimi i Politikës për Kafshët

Endri Haxhiraj, tetor 2017

48 pjesëmarrës nga 20 shtete të ndryshme u takuan gjatë fundjavës në Madrid në takimin e përvitshëm ndërkombëtar mbi përmirësimin e politikave për mirëqenien e kafshëve, organizuar nga Partia për Kafshët e Hollandës. Tema e këtij viti ishin kafshët endacake dhe pritet që partitë dhe faktorët politikë në vendet respektive të ndërmarrin hapa për mbrojtjen e kafshëve endacake.

Diskutimi kryesor i ngritur në takim ishte “arritja e ndryshimit përmes politikës” ku u theksua se kjo mund të sillej vetëm nga një forcë politike e angazhuar specifikisht për kafshët. Kjo forcë, duke qenë se ka kauzë qëndrore mirëqenien e kafshëve, do ta kishte të pamundur negociatën mbi këtë kauzë ndryshe nga partitë klasike politike që negociojnë mbi zbatimin e programit të tyre (psh. për mbrojtjen e mjedisit, etj) në këmbim të karriges.

Takimi u përmbyll me prezantimet nga disa shtete që kanë patur përmirësim të mbrojtjes së kafshëve endacake sikurse dhe Shqipëria psh., adoptimi nga bashkitë më të mëdha në vend të nismës sterilizim, vaksinim dhe rilëshim. Edhe pse ka shumë punë për të bërë, hapi i parë, ai i zgjedhjes së alternativës së menaxhimit ndaj vrasjes (krahasuar edhe me disa shtete të evropës lindore) është një shenjë e emancipimit të vendit tonë.

Instituti i Politikave Mjedisore mori pjesë në takimi e nisjes së projektit “HERMES”, në Varna, Bullgari më 31 gusht-1 shtator 2017

Takimi ndërkombëtar për hapjen e projektit HERMES, diskutime e një punëtori ndërkombëtare për të parandaluar erozionin (gërryerjen) e bregdetit në detet Adriatik, Egje, Detin e Zi e Mesdhe, u mbajt në Zyrën e Guvernatorit të Varnës më 31 gusht 2017. Takimi u zhvillua në kuadër të projektit të saponisur, “HERMES– Një strukturë e harmonizuar për zbutjen e erozionit bregdetar që promovon zbatimin e protokollit ICZM (Menaxhimi i Integruar i Zonave Bregdetare)”, i bashkëfinancuar nga Programi Ballkan-Mesdhe. Qëllimi i punëtorisë ishte që të prezantohej projekti HERMES te palët e interesuara vendore, të rritej niveli i informacionit rreth zbutjes së erozionit bregdetar dhe të nisej rrjetëzimi mes palëve.
Punëtoria u hap zyrtarisht nga Guvernatori Rajonal i Varnës, Z. Stoyan Pasev dhe Kreu i Bordit të Unionit të Autoriteteve Vendore Bullgare të Detit të Zi (UBBSLA) – Z. Atanas Stoilov.
Projekti zbatohet nga partneriteti: Bashkia e Pageos (Greqi) që është dhe udhëheqësi i projektit, Universiteti Demokritus i Thrakës (Greqi), Qendra e Bashkuar e Kërkimeve ORION (Qipro), TEULEDA (Shqipëri) dhe Instituti i Politikave Mjedisore (Shqipëri). Projekti zgjat 24 muaj (gusht 2017-gusht 2019) dhe totali i buxhetit kalon 1 000 000 Euro.
Punëtoria mbi erozionin bregdetar u ndoq me interes nga më shumë se 40 përfaqësues të bashkive anëtare të UBBSLA, nga partnerët e projektit, nga përfaqësues të Institutit të Oqeanologjisë dhe Inspektoratit Rajonal të Mjedisit e Ujrave të Varnës, si dhe nga ekspertë të tjerë të fushës së bregdetit dhe parandalimit të erozionit bregdetar. Ekspertët paraqitën zgjidhje teknike të zbatuara në vende të tjera për t’i bërë ballë dhe për të parandaluar erozionin bregdetar.


Përfaqësues të partnerëve të projektit prezantuan institucionet e organizatat partnere, gjendjen e erozionit në bregdetet që mbulohen nga projekti, dhe planin e punës për 6 muajt e parë të projektit.
Projekti HERMES mbulon mbi 280 km vijë bregdetare të Adriatikut, Egjeut, Detit të Zi dhe Levantit dhe është i projektuar që të ndihmojë popullatat vendore që të gjejnë zgjidhje konkrete për të parandaluar e për t’i bërë ballë erozionit bregdetar. Projekti synon që të zhvillojë një strukturë, model të unifikuar dhe të harmonizuar për zbutjen e erozionit bregdetar dhe restaurimit të plazheve, nëpërmjet zbatimit të një sërë studimesh koherente, shpërndarjes së instrumentave teknikë ekzistues, si dhe hartimin e instrumentave të politikave të përbashkëta.
Projekti do të blejë e instalojë stacione speciale për monitorimin e erës, rrymave e valëve detare, në secilin nga vendet e partnerëve të projektit, dhe do të testojë masa të ndryshme të zbutjes së erozionit bregdetar, duke u përqendruar te teknikat e buta inxhinierike si stabilizimi i dunave, ushqyerja e plazheve me sedimente, gjeosisteme etj.
Zona pilot në Shqipëri shtrihet nga delta e lumit Buna, deri në deltën e lumit Mat, me koordinata:
Buna ~ 3 km: 41°50’52.2″N 19°22’40.6″E – 41°51’41.0″N 19°24’54.9″E
Shëngjin ~ 6.5 km: 41°48’20.5″N 19°35’55.3″E – 41°45’07.8″N 19°34’28.1″E
Kune-Mat ~ 10 km: 41°44’55.2″N 19°34’19.4″E – 41°38’29.8″N 19°34’17.4″E

NJOFTIM PËR SHTYP Lufta kundër erozionit bregdetar sjell më afër komunitetet e Adriatikut, Egjeut, Levantit dhe Detit të Zi.


Autoritete vendore, universitete dhe OJF nga 4 shtete të ndryshme (Shqipëri, Bullgari, Qipro dhe Greqi) do të takohen në Varna të Bullgarisë, përgjatë 2 ditëve (31 Gusht – 1 Shtator 2017), për të filluar një projekt të përbashkët me akronimin HERMES, në mënyrë që të përgatiten udhëzime të harmonizuara për të vlerësuar dhe luftuar erozionin bregdetar, si dhe për t’i aplikuar këto udhëzime në katër zonat pilote të projektit – 1 për çdo shtet.

Erozioni bregdetar është një çështje që po rëndohet më tej nga rritja e përshpejtuar e nivelit të detit si pasojë e ndryshimeve klimatike dhe efekteve negative të akumuluara si pasojë e praktikave të keqmenaxhimit; erozioni bregdetar është një çështje veçanërisht delikate në zonat ku jetesa gjithnjë e më shumë po varet nga turizmi.

Edvin Pacara, Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Politikave Mjedisore (partner në projekt) thotë se “Republika e Shqipërisë po përballet me humbjen e dhjetëra kilometra katrorë si pasojë e erozionit bregdetar, duke rrezikuar si ekosistemet e pasura bregdetare, ashtu dhe bujqësinë e turizmin e sapozhvilluar në këto zona, e nëse nuk merren masa për zbutjen e erozionit bregdetar, do të përballemi me një barrë të rëndë mjedisore, njerëzore e ekonomike”.

Erozioni bregdetar, Kune, Shëngjin

HERMES është një nismë e përbashkët e gjashtë entiteve, të mbështetura nga Bashkimi Evropian nëpërmjet programit BalkanMed, i cili mbulon mbi 280km vijë bregdetare në zonën e Adriatikut, Egjeut, Levantit dhe Detit ti Zi; e projektuar për t’u ardhur në ndihmë komuniteteve lokale që të arrijnë në një zgjidhje konkrete dhe të qëndrueshme. Ky projekt ka për qëllim që të zhvillojë një strukturë, model të unifikuar dhe të harmonizuar për zbutjen e erozionit bregdetar dhe restaurimit të plazheve, nëpërmjet zbatimit të një sërë studimesh koherente, shpërndarjes së instrumentave teknikë ekzistues, si dhe hartimin e instrumentave të politikave të përbashkëta.

Me anë të një ndërthurjeje aktivitetesh për monitorim dhe modelim që do të zhvillohen gjatë 2 viteve të ardhshme, HERMES do të ndihmojë organizatat pjesëmarrëse të zhvillojnë një kapacitet parashikueshmërie bazë në lidhje me erozionin bregdetar dhe do t’u mundësojë atyre që të planifikojnë masa për restaurim, duke filluar nga ndërhyrjet e forta, si p.sh. valëthyesit, deri te teknikat e reja miqësore për mjedisin.

HERMES shkurtimisht:

“HERMES– Një strukturë e harmonizuar për zbutjen e erozionit bregdetar që promovon zbatimin e protokollit ICZM (Menaxhimi i Integruar i Zonave Bregdetare)” është një projekt që bashkëfinancohet nga Programi BalkanMed. Udhëhiqet nga Bashkia e Paggaios (Greqi) dhe ka si partnere: 1) Universitetin Democratus të Trakisë (GR), 2) Qendra e Përbashkët Kërkimore ORION (Qipro), 3) Unioni i Autoriteteve Vendore të Detit të Zi (Bullgari), 4) TEULEDA – Agjencia e Zhvillimit Ekonomik Lokal, si dhe 5) Instituti i Politikave Mjedisore (Shqipëri). Kohëzgjatja e projektit parashikohet të jetë 24 muaj (Gusht 2017-Gusht 2019), me një buxhet total që tejkalon 1 000 000 Euro.

Shkëmbimi rinor “Energjia e natyrës”

Shkëmbimi rinor “Energjia e natyrës” u zhvillua në datat 30.06.2017-07.07.2017, në Duga Resa, Karlovac, Kroaci. 42 të rinj nga 7 shtete: Shqipëria, Kroacia, Italia, Polonia, Spanja e Maqedonia (6 pjesëmarrës + 1 udhëheqës grupi për çdo shtet) morën pjesë në shkëmbim, i cili u organizua nga OJF-ja kroate Udruga za lokalni razvoj “Turbina promjena”.
Gjatë shkëmbimit rinor, pjesëmarrësit zgjeruan njohuritë e tyre mbi përdorimin e energjive të ripërtëritshme, efikasitetin energjik, zhvillimin e qëndrueshëm, strategjitë evropiane për zhvillimin e qëndrueshëm, si dhe teknologjitë dhe mënyrat e ndryshme sesi të ulim ndikimin tonë në mjedis dhe në ndryshimin e klimës.

Përveç temave mjedisore, pjesëmarrësit patën rastin të shkëmbejnë kulturat dhe të rrisin njohuritë e tyre mbi gjuhët evropiane, si dhe përftuan aftësi në organizimin e aktiviteteve, komunikimin në gjuhë të huaja, të mësuarit në mënyrë joformale, dhe u njohën me vendin pritës, Kroacinë.

Organizatat partnere në këtë shkëmbim ishin:
Udruga za lokalni razvoj “Turbina promjena” – Kroaci
Instituti i Politikave Mjedisore – Shqipëri
La Vibria Intercultural – Spanjë
Eko-Zhivot – Maqedoni
Fundacja Kreatywnej przestrzeń and Rozwoju CampoSfera – Poloni
Istituto Pace Sviluppo Innovazione Acli IPSIA – Itali

Shkëmbimi rinor “Energy of Nature”, Karlovac, Kroaci

Instituti i Politikave Mjedisore do të marrë pjesë në shkëmbimin rinor “Energy of Nature”, në datat 30.06.2017-07.07.2017, në Karlovac, Kroaci, shkëmbim që synon rritjen e përdorimit të energjive të ripërtëritshme dhe efikasitetit energjitik te të rinjtë dhe në rajon.