Autoritete vendore, universitete dhe OJF nga 4 shtete të ndryshme (Shqipëri, Bullgari, Qipro dhe Greqi) do të takohen në Varna të Bullgarisë, përgjatë 2 ditëve (31 Gusht – 1 Shtator 2017), për të filluar një projekt të përbashkët me akronimin HERMES, në mënyrë që të përgatiten udhëzime të harmonizuara për të vlerësuar dhe luftuar erozionin bregdetar, si dhe për t’i aplikuar këto udhëzime në katër zonat pilote të projektit – 1 për çdo shtet.
Erozioni bregdetar është një çështje që po rëndohet më tej nga rritja e përshpejtuar e nivelit të detit si pasojë e ndryshimeve klimatike dhe efekteve negative të akumuluara si pasojë e praktikave të keqmenaxhimit; erozioni bregdetar është një çështje veçanërisht delikate në zonat ku jetesa gjithnjë e më shumë po varet nga turizmi.
Edvin Pacara, Drejtori Ekzekutiv i Institutit të Politikave Mjedisore (partner në projekt) thotë se “Republika e Shqipërisë po përballet me humbjen e dhjetëra kilometra katrorë si pasojë e erozionit bregdetar, duke rrezikuar si ekosistemet e pasura bregdetare, ashtu dhe bujqësinë e turizmin e sapozhvilluar në këto zona, e nëse nuk merren masa për zbutjen e erozionit bregdetar, do të përballemi me një barrë të rëndë mjedisore, njerëzore e ekonomike”.
HERMES është një nismë e përbashkët e gjashtë entiteve, të mbështetura nga Bashkimi Evropian nëpërmjet programit BalkanMed, i cili mbulon mbi 280km vijë bregdetare në zonën e Adriatikut, Egjeut, Levantit dhe Detit ti Zi; e projektuar për t’u ardhur në ndihmë komuniteteve lokale që të arrijnë në një zgjidhje konkrete dhe të qëndrueshme. Ky projekt ka për qëllim që të zhvillojë një strukturë, model të unifikuar dhe të harmonizuar për zbutjen e erozionit bregdetar dhe restaurimit të plazheve, nëpërmjet zbatimit të një sërë studimesh koherente, shpërndarjes së instrumentave teknikë ekzistues, si dhe hartimin e instrumentave të politikave të përbashkëta.
Me anë të një ndërthurjeje aktivitetesh për monitorim dhe modelim që do të zhvillohen gjatë 2 viteve të ardhshme, HERMES do të ndihmojë organizatat pjesëmarrëse të zhvillojnë një kapacitet parashikueshmërie bazë në lidhje me erozionin bregdetar dhe do t’u mundësojë atyre që të planifikojnë masa për restaurim, duke filluar nga ndërhyrjet e forta, si p.sh. valëthyesit, deri te teknikat e reja miqësore për mjedisin.
HERMES shkurtimisht:
“HERMES– Një strukturë e harmonizuar për zbutjen e erozionit bregdetar që promovon zbatimin e protokollit ICZM (Menaxhimi i Integruar i Zonave Bregdetare)” është një projekt që bashkëfinancohet nga Programi BalkanMed. Udhëhiqet nga Bashkia e Paggaios (Greqi) dhe ka si partnere: 1) Universitetin Democratus të Trakisë (GR), 2) Qendra e Përbashkët Kërkimore ORION (Qipro), 3) Unioni i Autoriteteve Vendore të Detit të Zi (Bullgari), 4) TEULEDA – Agjencia e Zhvillimit Ekonomik Lokal, si dhe 5) Instituti i Politikave Mjedisore (Shqipëri). Kohëzgjatja e projektit parashikohet të jetë 24 muaj (Gusht 2017-Gusht 2019), me një buxhet total që tejkalon 1 000 000 Euro.