Takimi ndërkombëtar për hapjen e projektit HERMES, diskutime e një punëtori ndërkombëtare për të parandaluar erozionin (gërryerjen) e bregdetit në detet Adriatik, Egje, Detin e Zi e Mesdhe, u mbajt në Zyrën e Guvernatorit të Varnës më 31 gusht 2017. Takimi u zhvillua në kuadër të projektit të saponisur, “HERMES– Një strukturë e harmonizuar për zbutjen e erozionit bregdetar që promovon zbatimin e protokollit ICZM (Menaxhimi i Integruar i Zonave Bregdetare)”, i bashkëfinancuar nga Programi Ballkan-Mesdhe. Qëllimi i punëtorisë ishte që të prezantohej projekti HERMES te palët e interesuara vendore, të rritej niveli i informacionit rreth zbutjes së erozionit bregdetar dhe të nisej rrjetëzimi mes palëve.
Punëtoria u hap zyrtarisht nga Guvernatori Rajonal i Varnës, Z. Stoyan Pasev dhe Kreu i Bordit të Unionit të Autoriteteve Vendore Bullgare të Detit të Zi (UBBSLA) – Z. Atanas Stoilov.
Projekti zbatohet nga partneriteti: Bashkia e Pageos (Greqi) që është dhe udhëheqësi i projektit, Universiteti Demokritus i Thrakës (Greqi), Qendra e Bashkuar e Kërkimeve ORION (Qipro), TEULEDA (Shqipëri) dhe Instituti i Politikave Mjedisore (Shqipëri). Projekti zgjat 24 muaj (gusht 2017-gusht 2019) dhe totali i buxhetit kalon 1 000 000 Euro.
Punëtoria mbi erozionin bregdetar u ndoq me interes nga më shumë se 40 përfaqësues të bashkive anëtare të UBBSLA, nga partnerët e projektit, nga përfaqësues të Institutit të Oqeanologjisë dhe Inspektoratit Rajonal të Mjedisit e Ujrave të Varnës, si dhe nga ekspertë të tjerë të fushës së bregdetit dhe parandalimit të erozionit bregdetar. Ekspertët paraqitën zgjidhje teknike të zbatuara në vende të tjera për t’i bërë ballë dhe për të parandaluar erozionin bregdetar.
Përfaqësues të partnerëve të projektit prezantuan institucionet e organizatat partnere, gjendjen e erozionit në bregdetet që mbulohen nga projekti, dhe planin e punës për 6 muajt e parë të projektit.
Projekti HERMES mbulon mbi 280 km vijë bregdetare të Adriatikut, Egjeut, Detit të Zi dhe Levantit dhe është i projektuar që të ndihmojë popullatat vendore që të gjejnë zgjidhje konkrete për të parandaluar e për t’i bërë ballë erozionit bregdetar. Projekti synon që të zhvillojë një strukturë, model të unifikuar dhe të harmonizuar për zbutjen e erozionit bregdetar dhe restaurimit të plazheve, nëpërmjet zbatimit të një sërë studimesh koherente, shpërndarjes së instrumentave teknikë ekzistues, si dhe hartimin e instrumentave të politikave të përbashkëta.
Projekti do të blejë e instalojë stacione speciale për monitorimin e erës, rrymave e valëve detare, në secilin nga vendet e partnerëve të projektit, dhe do të testojë masa të ndryshme të zbutjes së erozionit bregdetar, duke u përqendruar te teknikat e buta inxhinierike si stabilizimi i dunave, ushqyerja e plazheve me sedimente, gjeosisteme etj.
Zona pilot në Shqipëri shtrihet nga delta e lumit Buna, deri në deltën e lumit Mat, me koordinata:
Buna ~ 3 km: 41°50’52.2″N 19°22’40.6″E – 41°51’41.0″N 19°24’54.9″E
Shëngjin ~ 6.5 km: 41°48’20.5″N 19°35’55.3″E – 41°45’07.8″N 19°34’28.1″E
Kune-Mat ~ 10 km: 41°44’55.2″N 19°34’19.4″E – 41°38’29.8″N 19°34’17.4″E