Shkëmbimi Rinor “Ekoturizmi: Të zhvillojmë një sjellje që respekton mjedisin dhe trashëgiminë kulturore”

Thirrje për 6 pjesëmarrës nga Republika e Shqipërisë në Shkëmbimin Rinor “Ekoturizmi: Të zhvillojmë një sjellje që respekton mjedisin dhe trashëgiminë kulturore” (“Ecotourism: Developing an attitude that respects the environment and the cultural heritage”).
Të interesuarit/at të dërgojnë një mesazh ku të shkruajnë se pse duan të marrin pjesë në këtë shkëmbim dhe CV-në e tyre te iep@iep-al.org
Afati i fundit për aplikim: 30 shtator
Shkëmbimi rinor do të bëhet në Berat, në datat 18-23 tetor dhe bëhet mes OJF-ve pjesëmarrëse nga Italia, Shqipëria, Kosova, Letonia, Belgjika dhe Spanja. Gjuha e përdorur në shkëmbim është anglishtja prandaj pjesëmarrësit duhet të jenë të aftë të flasin anglisht. Mosha 18-30 vjeç. Udhëtimi mbulohet deri në 20 Euro ndërsa të gjitha shpenzimet e tjera si akomodim e ushqim janë të mbuluara nga projekti.
Për më shumë informacion, shihni paketën informuese Paketa Informuese e Shkëmbimit Rinor
IMG_1881

IMG_1887

Aktiviteti për Ditën e Mjedisit, 5 qershor 2016

Në datën 08 Qershor 2016, Instituti i Politikave Mjedisore (IEP) ndërmorri aktivitetin interaktiv me profesionistë të rinj dhe të sapodiplomuar” “MBROJTJA E BURIMEVE NATYRORE TË SHQIPËRISË DUKE ANGAZHUAR PROFESIONISTËT E RINJ”. Ky aktivitet zhvillohet me qëllim ndërgjegjësimin e mbrojtjen e mjedisit përballë ndryshimeve klimatike nga njëra anë dhe rritje të vetëdijes për energjitë e ripërtëritshme nga ana tjetër si aktivitet i grupimit Youth for Energy Policy (YEP).
Aktiviteti i zhvilluar në mjediset e universitetit Polis në Tiranë, u dha mundësinë këtyre të rinjve të shprehin pozicionin dhe punën e tyre lidhur me çështjen e energjisë në Republikën e Shqipërisë. Aktiviteti u konceptua në dy pjesë. Në të parën u zhvillua një prezantim i situatës aktuale me problematikën që sjellin HEC-et e shumta e të pastudiuara, situata e prodhimit të energjisë në Republikën e Shqipërisë, metodat më të mira të prodhimit të energjive të ripërtëritshme në Spanjë, si dhe si dhe alternativa të ndryshme. Pjesa e dytë e aktivitetit ishte një punëtori ku pjesëmarrësit u ndanë në dy grupe, dhe analizuan situatën e shkuar, aktuale dhe të ardhme të energjisë në Republikën e Shqipërisë, të ardhmen që ata duan si dhe një plan aksioni se çfarë duhet bërë.
Aktiviteti prodhoi debate e argumentime të shumta. Reagimet e të rinjve ishin energjike duke vlerësuar nevojën për hulumtime të mëtejshme. Reagimet u shfaqën si debate ose thellime në çështje të caktuara. Ndër pikat kryesore ku të rinjtë u ndalën për të diskutuar dhe që mund të konsiderohen në të ardhmen ishin:
o Duhet punuar mbi efiçencën e energjisë me brezat e rinj, fëmijët, për të rritur ndërgjegjësimin ndaj nevojave më të reduktuara për elektricitet.
o Duhet të kryhen vlerësime realiste për nevojën ose jo të HEC-eve, për avantazhet dhe disavantazhet e tyre, rast pas rasti.
o Duhet të konsiderohen potencialet për shkëmbimet e energjisë me Republikën e Kosovës që ka qasje të ndryshme të prodhimit të energjisë elektrike. Kjo mund të konsiderohet gjatë pikut të verës kur prurjet ujore në Republikën e Shqipërisë bien ndërkohë që Republika e Kosovës ka prodhim konstant dhe e anasjelltas kur Republika e Shqipërisë ka prurje të larta gjatë dimrit.
o Ka një nevojë për informacion dhe analizë mbi ndikimin mjedisor të burimeve alternative të prodhimit të energjisë, të asaj diellore të erë.
o Duhet konsideruar kombinimi i burimeve të ndryshme të energjisë.
o Duhet të zbatohet një analizë mbi potencialin praktik të aplikimit të teknologjisë diellore dhe asa të erës, të kostos dhe kohës së vetëshlyerjes..
Ata u shprehën gjithashtu për dobinë e takimeve të tilla ku gjejnë një mundësi për të shprehur profesionalizmin dhe dijet e tyre mbi mjedisin, energjinë dhe problematika të tjera. Ky aktivitet tregoi që është një mjet i dobishëm për zhvillimin e mendimit kritik midis profesionistëve të rinj, për njohjen midis tyre dhe pse grupimin e tyre në rrjete ku ata mund të japin kontribut në të ardhmen.
Materialet dhe infrastruktura për zhvillimin e këtij aktiviteti u bënë të mundura me mbështetjen e Co-Plan në kuadër të ENV.net, financuar nga Bashkimi Evropian.

Disa arritje që mund të evidentohen në këtë aktivitet janë:
Profesionistët e rinj shprehën njohuritë dhe perceptimin e tyre mbi një sërë çështjesh lidhur me burimet energjitike në Republikë e Shqipërisë, si dhe sugjerime lidhur me to.
Grupimi Youth for Energy Policy (YEP) po bëhet më i njohur midis profesionistëve të rinj ndërkohë që ndihmoi në forcimin e mendimit kritik dhe ndërveprimin e profesionistëve të rinj me njëri tjetrin.
Aktiviteti solli në vëmendjen e të rinjve çështjet e debatuara të HEC-ve në lumenj, dhe ruajtjen e lumenjve ende të paprekur rëndë nga ndërhyrjet e njeriut, Valbonën dhe Vjosën, duke vijuar ndërgjegjësimin midis të rinjve.
Të rinjtë duan shumëllojshmëri burimesh energjish, autonomi nga rrjeti, dhe energji më mjedisore në Republikën e Shqipërisë.

Të rinjtë pjesëmarrës
Paneli
Punëtoria

Letër Pozicionimi mbi gjendjen e menaxhimit të ujërave në Liqenin e Ohrit

Instituti i Politikave Mjedisore në Shqipëri dhe Grashnica në Ohër, Maqedoni, kanë zbatuar projekte paralele për të përhapur mënyra të reja në mbrojtjen e cilësisë dhe ujit dhe në menaxhimin e ujit në pellgun e Liqenit të Ohrit në Shqipëri e Maqedoni, përgjatë viteve 2014-2015. Të dy projektet u financuan nga Fondi i Partneritetit për Ekosistemet e Rrezikuara (Critical Ecosystem Partnership Fund – CEPF). Projektet u zbatuan në kornizë të efekteve të ndryshimeve klimatike që do të prekin zonën e Liqenit të Ohrit.
Përfundimet nga projektet tona treguan se pellgu ujor i Liqenit të Ohrid është një zonë me popullsi relativisht të vogël por me çështje e problematika urgjente, që rrjedhin më shumë nga mungesa e ndërgjegjësimit mbi zgjidhjet dhe metodat efikase të përdorura në vende të ndryshme, që kanë qenë të suksesshme në uljen e minimizimin e shpërdorimit dhe ndotjes së ujit.
1. Që të ulim sa më shumë të jetë e mundur përdorimin e ujit të liqenit në bujqësi dhe të ulim ndotjen që shkaktohet në Liqenin e Ohrit, ne u rekomandojmë autoriteteve vendore dhe fermerëve që të përdorin ujitjen me pikim, një teknike që do të kursente shumë nga uji që tani merret nga përrenjtë që ushqejnë liqenin e Ohrit (ose drejtpërdrejt nga Liqeni i Ohrit) dhe që do të ulte gjithashtu derdhjet e lëndëve ushqyese dhe kimikateve të tjera nga tokat në liqen, pasi ushqyesit e tepërt shkaktojnë eutrofikim dhe ndotje. Ujitja me pikim është një teknike ekonomikisht e përballueshme e me përfitime e kursime më të mëdha sesa pasojat që shkakton ujitja tradicionale me anë të kanaleve të hapura mbi mjedisin dhe ekosistemet.
2. Rekomandojmë përdorimin e ligatinave të ndërtuara për filtrimin e ujërave të ndotur në vendbanimet me popullsi të vogël, ku sasia e ujit të ndotur është e vogël dhe mund të trajtohet me anë të ligatinave që do të ulin dhe/ose eliminojnë ndotësit dhe ushqyesit e gjendur në ujërat e ndotur, të cilat tani derdhen të patrajtuara në Liqenin e Ohrit. Ligatinat e ndërtuara janë një mënyrë me kosto të ulët dhe natyrale për të filtruar ujërat e ndotur, si dhe ato janë një mënyrë për të krijuar ekosisteme të reja dhe biomasë. Kostoja e ndërtimit të këtyre sistemeve është e përballueshme për zonën e Liqenit të Ohrit.
3. U rekomandojmë dhe nxisim autoritetet vendore e qendrore që të bëjnë më shumë për parandalimin e ndotjes së ujërave të Liqenit të Ohrit nga mbetje të ngurta, sidomos mbetjet plastike që po dëmtojnë ekosistemet e liqeni, duke vënë në rrezik jo vetëm shumëllojshmërinë, por edhe shëndetin e njerëzve, si dhe po pengojnë zhvillimin e mëtejshëm të turizmit në disa zona të Liqenit të Ohrit. Ne nxisim autoritetet vendore që të bëjnë më shumë në ndërgjegjësimin e banorëve mbi ndotjen dhe të zbatojnë masa shtrënguese për ata që ndosin.
4. U rekomandojmë donatorëve ndërkombëtare dhe autoriteteve vendore të pellgut të Liqenit të Ohrit nga Shqipëria dhe Maqedonia që të mbështesin më shumë nisma shkëmbimesh rinore që lidhen me shkëmbimin e përvojave dhe ndërgjegjësimin për mbrojtjen e liqenit, si një trashëgimi e veçantë që të dy vendet e ndajnë mes tyre.

Letra në të dy gjuhët mund të lexohet këtu

Vrasja nuk është zgjidhje

Vetëm disa ditë pas zbulimit të vrasjes së fshehtë, ku punëtorë të Bashkisë Tiranë flaknin trupat e qenve endacakë të vrarë me injeksione në kosha publik të mbetjeve, këta të fundit kanë zënë qendrën e vëmendjes së opinionit publik. Kjo u arrit në sajë të disa tubimeve të njëpasnjëshme para Bashkisë së Tiranës me subjekt ndalimin e vrasjes së qenve.

Si në një pjesë të mirë të çështjeve mjedisore por jo vetëm, kemi dy kampe. Një grup jo i vogël njerëzish që janë kundra vrasjes dhe një grup po ashtu jo i vogël njerëzish “në kampin e vrasjes”.

Pavarësisht rrymës filozofike të secilit prej kampeve ka disa momente që duhen marrë në konsideratë:

Shoqëritë në zhvillim sikurse e jona, kanë një përqasje drejt zgjidhjeve sa më afatshkurtra dhe me efekt të menjëhershëm. Nëse objektivi i dytë arrihet, pra efekti i menjëhershëm, zgjidhja përfundimtare duket gjithmonë e më larg të arrihet. Ne këtë kuptim, në një dokument te Organizatës Botërore të Shëndetësisë citohet se: “Shpesh autoritetet të përballur me problemet që shkaktojnë qentë endacakë, shkatërrojnë gjithçka me shpresën se do të gjejnë një zgjidhje të shpejtë, shkatërrim që duhet të vazhdojë vit pas viti pa shenja të zgjidhjes”.

Tirana strehon rreth 5000 qen endacakë por numri i saktë i tyre nuk dihet. Vrasja e qenve “të lirë” thjesht do të krijojë më shumë territor për qentë e një zone tjetër. Pra Tirana është qytet në zgjerim ndërkohë që qentë e ndodhur në zona periferike/ rurale janë në kërkim të ushqimit drejt qendrave. Rrjedhimisht çdo qen i vrarë zëvendësohet në pak kohë nga një qen tjetër. Por pse kjo nuk ndodh p.sh në rastin e një zgjidhje afatgjatë sikurse është sterilizimi- vaksinimi- rilëshimi. Qentë e rikthyer në rrugë parandalojnë ardhjen e qenve të rinj për shkak të sjelljes territoriale të tyre. Gjithashtu mesatarja e jetesës së kafshëve endacake është rreth 5 vjet.

Por çështja e vrasjes së qenve endacakë ka dhe pasoja afatgjata: Fëmijët që rriten në ambiente ku ushtrohet dhunë/vrasje ndaj kafshëve ka të ngjarë që në të ardhmen të kthehen në dhunues të kafshëve dhe njerëzve sepse ata bëhen të pandjeshëm dhe e shohin dhunën si një gjë normale. Rrjedhimisht ata mësohen ta shprehin fuqinë dhe kontrollin e tyre duke abuzuar me qenie më të dobta.

Sot qarkullon edhe mendimi mbi prioritetet që ngre pyetjen se: pse duhet të merremi me kafshët ndërkohë që kemi shumë probleme të tjera sociale. Duke qenë se kjo çështje ka të bëjë shumë edhe me statusin e dobët të kafshëve dhe qenve në veçanti në shoqërinë tonë është e vështirë të kuptohet lidhja e këtij problemi me dukuri të tjera sociale. Në fakt çështja e qenve endacakë është një pararendëse apo pasqyrë e shumë problemeve të tjera. Pandjeshmëria e shoqërisë ndaj zgjidhjes së duhur të kësaj çështjeje reflektohet po aq qartë edhe për papunësinë, për njerëzit me aftësi te kufizuar, për pensionistet dhe çdo njeri qe nuk ka mundësi te mbrohet apo është në vështirësi. Ndërlidhja e kësaj çështje me të drejtat e njeriut është mesë evidente. Kjo nuk do të thotë që të ketë detyrimisht trajtim të njëjtë ose që interesat e kafshëve kanë të njëjtën peshë apo vlerë sikurse interesat thelbësore të njeriut. Shumë interesa të kafshëve janë të ndryshme nga tonat!

Një pjesë e mirë e profesionistëve të mjekësisë si humane edhe veterinare shprehen mbi potencialin e rrezikut shëndetësor që shfaqin këto kafshë. Te jemi realist, askush nuk do të shoqërohej me një kafshë potencialisht të rrezikshme. E rëndësishme në të gjithë këtë sfidë është zbatimi i programeve afatgjata që nga eksperienca e vendeve të zhvilluara garantojnë shëndetin dhe mirëqenien e njeriut dhe të kafshëve njëkohësisht. Sikurse është përmendur, një prej zgjidhjeve që i përafrohet më shumë këtij koncepti është sterilizimi- vaksinimi (plus kurimi i mundshëm) dhe rilëshimi. Por si çdo proces tjetër duhet marrë në konsideratë që trajtimi do të jetë i qëndrueshëm. Është provuar se me sterilizimin e 70% të popullatës së qenve gjendja në një territor të dhënë stabilizohet. Sterilizimi i qenve ka edhe disa avantazhe të tjera sikurse ulja e nivelit të infeksioneve zoonotike, ruajtja e ekuilibrave mjedisore si dhe pakësimi i kafshimeve nga qentë. Nga ana tjetër shumë aktivistë përkujdesen po me aq pasion e vullnet për kurimin e kafshëve me gjendje patologjike.

Shqipëria është një vend me zhvillim të vrullshëm dhe pavarësisht sfidave, shpreh një aspiratë të veçantë për integrimin sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian. Për të përmbushur kërkesat ligjore edhe për mbrojtjen e kafshëve, janë  hartuar dhe miratuar edhe legjislacioni përkatës i reflektuar pjesërisht në  legjislacionin veterinar: Ligji, Nr. 10 465, i vitit 2011-të, Për Shërbimin Veterinar në Republikën e Shqipërisë, i përafruar me direktivat BE-së. Ky ligj parashikon se autoriteti vendor (bashkia në rastin konkret) është e detyruar të mbajnë nën kontroll dhe të zbatojnë legjislacionin në fuqi për eliminimin e qenve dhe maceve të rrugës;  Ku Eliminimi i kafshëve kryhet në atë mënyrë që të mos shkaktojë dhimbje dhe vuajtje të panevojshme dhe lejohet vetëm në rastet për çrrënjosjen e sëmundjeve infektive/ zoonotike, kur njerëzit sulmohen nga një kafshë e tërbuar/ agresive, dhe gjatë gjuetisë.

Megjithëse legjislacioni që është mbi çdo individ dhe autoritet flet qartë për rastin konkret, ai nuk parashikon masa ndëshkuese në rastin e thyerjes së ligjit. Në këtë kuptim tubimet e shoqërisë civile për mbrojtjen e qenve endacakë ndjekin linjën ligjore dhe kërkojnë atë që parashikon ligji. Në të njëjtën kohë po ky grupim njerëzish ofron edhe ndihmë për përmirësimin e ligjit në aspektin e ndëshkueshmërisë.

Një dukuri risi për shoqërinë civile Shqiptare është edhe ngritja dhe pjesëmarrja aktive e shoqatave për mbrojtjen e kafshëve. Ky grupim aktiv edhe me hasjen e disa paragjykimeve që në fazën fillestare të lëvizjes u tregua tepër i vullnetshëm për mbajtjen e tubimeve paqësore çka është një vlerë e shtuar për shoqërinë civile Shqiptare. Ky sektor kaq i ndjeshëm i shoqërisë edhe pse shumë pak i mbështetur financiarisht tregon mbi potencialin që ka shoqëria jonë për të arritur shpejt përqasjet evropiane për shumë probleme sociale.

Së fundmi, matematicieni grek Pitagora shprehej se: Për aq kohe sa njeriu masakron kafshët, ata do të vrasin njeri-tjetrin. Në fakt, kush është dëshmitar i vrasjes dhe vuajtjes nuk mund të korrë gëzim dhe dashuri.

Tiranë 9 Prill 2014,

Endri Haxhiraj

Instituti i Politikave Mjedisore

Aktivitete për pastrimin e Tiranës

Stafi i IPM-së dhe vullnetarët iu bashkuan nismës “Ta pastrojmë Shqipërinë në Një ditë 2013”. Gjatë ditës së pastrimit, grupi i IPM-së u përqendrua tek diga e liqenit te Parku i Madh i Tiranës dhe në bashkëpunim me organizata të tjera u bë evidentimi dhe mbledhja e një sasie të konsiderueshme mbeturinash nga liqeni. IPM-ja me anë të këtij aktiviteti synon të ndërgjegjësojë qytetarët e Tiranës që të mos hedhin apo të mos lejojnë të tjerët të hedhin mbeturina në liqen, në një prej zonave të pakta të gjelbëruara të qytetit.

 

Fushata – “Jo Patentimit të Farërave”

Instituti i Politikave Mjedisore është një prej organizatave shqiptare që mbështesin fushatën Kundra Patentimit të Farërave. Shumë organizata evropiane janë të shqetësuara për rritjen e numrit të patentave që jepen për bimët, farërat dhe kafshët e fermave dhe ndikimin e tyre tek inovacioni dhe biodiversiteti. Patenta të tilla mund të krijojnë varësi të reja për fermerët, mbarështuesit, prodhuesit e ushqimit dhe konsumatorët. Ato duhet të konsiderohen si keqpërdorim i burimeve bazë në fermë apo në prodhimin e ushqimit si dhe abuzim i përgjithshëm i të drejtës së patentës. Koalicioni kundra patentimit të biodiversitetit bëjnë thirrje për një rishikim urgjent të ligjit të patentave evropiane për bioteknologjinë dhe rritjen e bimëve dhe të mbështesë rregulla të qarta që përjashtojnë nga patentimi proceset e mbarështimit, materialit gjenetik, bimëve, kafshëve dhe ushqimit që rrjedhin prej tyre.

1618111_10152697401891165_378651218_o