Apokalipsi mjedisor vjen në Tiranë!

nga Endri Haxhiraj dhe Edvin Pacara

100_1405

100_1438

100_1457

100_1459

protesta parkut

Apokalips – një shkatërrim përfundimtar i botës, sikurse përshkruhet në librin biblik të Zbulesës

Pas prerjeve të pyjeve në Librazhd, koncesioneve për ndërtimin e digave në Vjosë, sot betonizimi vjen shumë afër shtëpisë së çdo banori të Tiranës. Jashtë sfondeve partiake, një grup qytetarësh u mblodhën të dielën e 21 Shkurtit për të mbrojtur Parkun e Liqenit në Tiranë. Ata kërkonin që parku të ruajë identitetin, të mos ketë betonizim dhe prerje pemësh. Heqja e hunjve rrethues të kantierit brenda parkut u kushtoi shtrenjtë protestuesve, dhunë, fyerje, grushta dhe arrestime. Ajo që u pa ishte një dhunë e papërmbajtur sikur përballë të ishte një grup kriminelësh. Por jo! Përballë ishin të rinj, fëmijë, të moshuar, studentë, protestues mjedisore, profesorë, inxhinierë, qytetarë të ndërgjegjësuar dhe aktivistë të tjerë që mendojnë ndryshe. Nëse sot ka njerëz që e duan parkun aq sa mund të linin kafen, pushimin e të dielës e të dilnin pa pagesë ishin këta qytetarë. Megjithatë kjo nuk është dhuna e vetme.

Thelbi i dhunës ditën e dielë gjatë protestës së shoqërisë civile, është rënia e shtetit dhe shkelja e ligjit. Dhe përdorimi i atyre që duhet të ruanin rendin e ligjin për të ruajtur shkeljen e ligjit dhe për të goditur qytetarët që duan të ruajnë ligjin.
Bashkia e Tiranës filloi të rrethojë e të gërmojë të vetmin park në Tiranë duke shkelur një sërë ligjesh të Republikës së Shqipërisë.
1. Nuk është informuar komuniteti mbi projektin dhe nuk janë bërë dëgjesa publike me komunitetin, duke shkelur ligjet shqiptare në linjë me Konventën e Aarhusit.
2. Nuk ekziston asnjë projekt mbi parkun, përveç një paraqitjeje në një mënyrë amatoreske me një video e me foto fotoshopi, pamje e video që ndryshohet brenda sekondave sipas dëshirave.
3. Nuk ka leje mjedisore për kryerjen e punimeve.
4. Shkelet statusi i Parkut të Liqenit si dhe moratoriumi për prerjen e pemëve.
5. Nuk ka asnjë studim sesi do të ndikojë në ekosistemin e cili po shkatërrohet në park nga këto punime.
6. Nuk ka asnjë tabelë në sheshin e punimeve, që shpjegon se çfarë projekti është, kush e bën e kush e financon.

Këto janë vetëm shkeljet e dukshme të ligjit, shkelje që dënohen rëndë. Ishin këto shkelje që ngritën me qindra qytetarë të shkojnë për të mbrojtur parkun dhe ligjin nga një ndërhyrje e paligjshme, por u përballën me ata që duhej të mbronin ligjin, policinë e shteti, e cila këtë rradhë jo vetëm që nuk mbrojti atë, por mbrojti shkelësit e ligjit duke dhunuar barbarisht qytetarët.

Dikush mund të aludojë që Bashkia e Tiranës mund t’i përmbushë gjithë këtë dokumentacion që i mungon dhe që përbën shkelje ligjore, e më pas mund të vazhdojë punimet. Por, ndërhyrja te Parku i Liqenit, do të përbënte një precedent të rëndë dhe t’i jepte dorë të lirë çdo kryebashkiaku për të ndërhyrë dhe në pjesën tjetër të mbetur të parkut dhe në lulishte e parqe të tjera në Tiranë, të cilët i pret një fat i hidhur.
Përveçse Parkut të Liqenit, Parku Rinia dhe dhjetëra mini parqe të tjera të Tiranës do të shndërrohen së shpejti në kantiere ku betoni e hekuri do të derdhet masivisht. Do të ndërtohet në aq shumë vende njëkohësisht saqë do të jetë e pamundur për qytetarët e aktivistët t’u bëjnë ballë çdo vend ndërtimi në kundërshtim me ligjet.
Sikurse për Parkun Rinia, trumbetohet shpesh që këto plane janë projekte të miratuara nga kryebashkiaku i kaluar. Arsyeja pse banorët e Tiranës votuan kryebashkiakun aktual ishte pikërisht kjo, kundërshtimi i betonizimit, i këtyre planeve në letër apo i atyre të sapofilluara si tek diga e
Liqenit dhe që Tirana të gjelbërohej sa më shumë atje ku ishte e mundur.
Sot ka vetëm dy zgjedhje përballë apokalipsit, të ngadaltë por të vërtetë: ose të frenohet betonizimi e të rikuperojmë ç’të mundim ose Tirana do të bëhet qytet i pabanueshëm, i rrezikshëm për shëndetin e kush ka mend në kokë ta braktisë.