Në datën 08 Qershor 2016, Instituti i Politikave Mjedisore (IEP) ndërmorri aktivitetin interaktiv me profesionistë të rinj dhe të sapodiplomuar” “MBROJTJA E BURIMEVE NATYRORE TË SHQIPËRISË DUKE ANGAZHUAR PROFESIONISTËT E RINJ”. Ky aktivitet zhvillohet me qëllim ndërgjegjësimin e mbrojtjen e mjedisit përballë ndryshimeve klimatike nga njëra anë dhe rritje të vetëdijes për energjitë e ripërtëritshme nga ana tjetër si aktivitet i grupimit Youth for Energy Policy (YEP).
Aktiviteti i zhvilluar në mjediset e universitetit Polis në Tiranë, u dha mundësinë këtyre të rinjve të shprehin pozicionin dhe punën e tyre lidhur me çështjen e energjisë në Republikën e Shqipërisë. Aktiviteti u konceptua në dy pjesë. Në të parën u zhvillua një prezantim i situatës aktuale me problematikën që sjellin HEC-et e shumta e të pastudiuara, situata e prodhimit të energjisë në Republikën e Shqipërisë, metodat më të mira të prodhimit të energjive të ripërtëritshme në Spanjë, si dhe si dhe alternativa të ndryshme. Pjesa e dytë e aktivitetit ishte një punëtori ku pjesëmarrësit u ndanë në dy grupe, dhe analizuan situatën e shkuar, aktuale dhe të ardhme të energjisë në Republikën e Shqipërisë, të ardhmen që ata duan si dhe një plan aksioni se çfarë duhet bërë.
Aktiviteti prodhoi debate e argumentime të shumta. Reagimet e të rinjve ishin energjike duke vlerësuar nevojën për hulumtime të mëtejshme. Reagimet u shfaqën si debate ose thellime në çështje të caktuara. Ndër pikat kryesore ku të rinjtë u ndalën për të diskutuar dhe që mund të konsiderohen në të ardhmen ishin:
o Duhet punuar mbi efiçencën e energjisë me brezat e rinj, fëmijët, për të rritur ndërgjegjësimin ndaj nevojave më të reduktuara për elektricitet.
o Duhet të kryhen vlerësime realiste për nevojën ose jo të HEC-eve, për avantazhet dhe disavantazhet e tyre, rast pas rasti.
o Duhet të konsiderohen potencialet për shkëmbimet e energjisë me Republikën e Kosovës që ka qasje të ndryshme të prodhimit të energjisë elektrike. Kjo mund të konsiderohet gjatë pikut të verës kur prurjet ujore në Republikën e Shqipërisë bien ndërkohë që Republika e Kosovës ka prodhim konstant dhe e anasjelltas kur Republika e Shqipërisë ka prurje të larta gjatë dimrit.
o Ka një nevojë për informacion dhe analizë mbi ndikimin mjedisor të burimeve alternative të prodhimit të energjisë, të asaj diellore të erë.
o Duhet konsideruar kombinimi i burimeve të ndryshme të energjisë.
o Duhet të zbatohet një analizë mbi potencialin praktik të aplikimit të teknologjisë diellore dhe asa të erës, të kostos dhe kohës së vetëshlyerjes..
Ata u shprehën gjithashtu për dobinë e takimeve të tilla ku gjejnë një mundësi për të shprehur profesionalizmin dhe dijet e tyre mbi mjedisin, energjinë dhe problematika të tjera. Ky aktivitet tregoi që është një mjet i dobishëm për zhvillimin e mendimit kritik midis profesionistëve të rinj, për njohjen midis tyre dhe pse grupimin e tyre në rrjete ku ata mund të japin kontribut në të ardhmen.
Materialet dhe infrastruktura për zhvillimin e këtij aktiviteti u bënë të mundura me mbështetjen e Co-Plan në kuadër të ENV.net, financuar nga Bashkimi Evropian.
Disa arritje që mund të evidentohen në këtë aktivitet janë:
Profesionistët e rinj shprehën njohuritë dhe perceptimin e tyre mbi një sërë çështjesh lidhur me burimet energjitike në Republikë e Shqipërisë, si dhe sugjerime lidhur me to.
Grupimi Youth for Energy Policy (YEP) po bëhet më i njohur midis profesionistëve të rinj ndërkohë që ndihmoi në forcimin e mendimit kritik dhe ndërveprimin e profesionistëve të rinj me njëri tjetrin.
Aktiviteti solli në vëmendjen e të rinjve çështjet e debatuara të HEC-ve në lumenj, dhe ruajtjen e lumenjve ende të paprekur rëndë nga ndërhyrjet e njeriut, Valbonën dhe Vjosën, duke vijuar ndërgjegjësimin midis të rinjve.
Të rinjtë duan shumëllojshmëri burimesh energjish, autonomi nga rrjeti, dhe energji më mjedisore në Republikën e Shqipërisë.