Instituti i Politikave Mjedisore në Shqipëri dhe Grashnica në Ohër, Maqedoni, kanë zbatuar projekte paralele për të përhapur mënyra të reja në mbrojtjen e cilësisë dhe ujit dhe në menaxhimin e ujit në pellgun e Liqenit të Ohrit në Shqipëri e Maqedoni, përgjatë viteve 2014-2015. Të dy projektet u financuan nga Fondi i Partneritetit për Ekosistemet e Rrezikuara (Critical Ecosystem Partnership Fund – CEPF). Projektet u zbatuan në kornizë të efekteve të ndryshimeve klimatike që do të prekin zonën e Liqenit të Ohrit.
Përfundimet nga projektet tona treguan se pellgu ujor i Liqenit të Ohrid është një zonë me popullsi relativisht të vogël por me çështje e problematika urgjente, që rrjedhin më shumë nga mungesa e ndërgjegjësimit mbi zgjidhjet dhe metodat efikase të përdorura në vende të ndryshme, që kanë qenë të suksesshme në uljen e minimizimin e shpërdorimit dhe ndotjes së ujit.
1. Që të ulim sa më shumë të jetë e mundur përdorimin e ujit të liqenit në bujqësi dhe të ulim ndotjen që shkaktohet në Liqenin e Ohrit, ne u rekomandojmë autoriteteve vendore dhe fermerëve që të përdorin ujitjen me pikim, një teknike që do të kursente shumë nga uji që tani merret nga përrenjtë që ushqejnë liqenin e Ohrit (ose drejtpërdrejt nga Liqeni i Ohrit) dhe që do të ulte gjithashtu derdhjet e lëndëve ushqyese dhe kimikateve të tjera nga tokat në liqen, pasi ushqyesit e tepërt shkaktojnë eutrofikim dhe ndotje. Ujitja me pikim është një teknike ekonomikisht e përballueshme e me përfitime e kursime më të mëdha sesa pasojat që shkakton ujitja tradicionale me anë të kanaleve të hapura mbi mjedisin dhe ekosistemet.
2. Rekomandojmë përdorimin e ligatinave të ndërtuara për filtrimin e ujërave të ndotur në vendbanimet me popullsi të vogël, ku sasia e ujit të ndotur është e vogël dhe mund të trajtohet me anë të ligatinave që do të ulin dhe/ose eliminojnë ndotësit dhe ushqyesit e gjendur në ujërat e ndotur, të cilat tani derdhen të patrajtuara në Liqenin e Ohrit. Ligatinat e ndërtuara janë një mënyrë me kosto të ulët dhe natyrale për të filtruar ujërat e ndotur, si dhe ato janë një mënyrë për të krijuar ekosisteme të reja dhe biomasë. Kostoja e ndërtimit të këtyre sistemeve është e përballueshme për zonën e Liqenit të Ohrit.
3. U rekomandojmë dhe nxisim autoritetet vendore e qendrore që të bëjnë më shumë për parandalimin e ndotjes së ujërave të Liqenit të Ohrit nga mbetje të ngurta, sidomos mbetjet plastike që po dëmtojnë ekosistemet e liqeni, duke vënë në rrezik jo vetëm shumëllojshmërinë, por edhe shëndetin e njerëzve, si dhe po pengojnë zhvillimin e mëtejshëm të turizmit në disa zona të Liqenit të Ohrit. Ne nxisim autoritetet vendore që të bëjnë më shumë në ndërgjegjësimin e banorëve mbi ndotjen dhe të zbatojnë masa shtrënguese për ata që ndosin.
4. U rekomandojmë donatorëve ndërkombëtare dhe autoriteteve vendore të pellgut të Liqenit të Ohrit nga Shqipëria dhe Maqedonia që të mbështesin më shumë nisma shkëmbimesh rinore që lidhen me shkëmbimin e përvojave dhe ndërgjegjësimin për mbrojtjen e liqenit, si një trashëgimi e veçantë që të dy vendet e ndajnë mes tyre.
Letra në të dy gjuhët mund të lexohet këtu
1 Comment
Comments are closed.