Ndotja e liqenit të Ohrit nga mbetjet dhe ujërat e zeza nga njëra anë, shfrytëzimi i ujit të tij për nevojat e bujqësisë nga ana tjetër janë një kërcënim serioz i ekosistemit të këtij liqeni. Ndërgjegjësimi i banorëve lokalë fatkeqësisht nuk është në nivelin e duhur.
Instituti i Politikave Mjedisore (IEP) beson se ata që mund të japin garanci afatgjatë për ruajtjen e Liqenit janë të rinjtë që banojnë në këto zona. Nëse të rinjtë e moshave të ndryshme janë të ndërgjegjësuar, ata do të ndikojnë patjetër në ndërgjegjësimin e familjeve të tyre, shokëve dhe njerëzve të tjerë që janë në kontakt. Pasioni dhe vullnetarizmi i të rinjve për mbrojtjen e Liqenit është shprehur në disa raste sikurse aksioni për pastrimin e Linit në muajin Nëntor nga nxënësit e Shkollës 9 vjeçare Myredin Bashalli në fshatin Lin, Pogradec. Në këtë kontekst, IEP ndërmorri një takim me nxënësit e klasave të 8-ta dhe 9-ta të kësaj shkolle për t’i njohur me disa praktika mjedisore për ruajtjen e Liqenit të Ohrit si dhe disa nga gjetjet e projektit “Zhvillimi i qëndrueshëm i praktikave të menaxhimit të ujërave për të ruajtur rrjedhën natyrore drejt basenit të Liqenit të Ohrit”.
Ky takim u përshëndet nga drejtori i kësaj shkolle Z. Agron Qyshkollari dhe nga zv. Drejtori i IEP Z Endri Haxhiraj. Praktikat mjedisore dhe projekti pilot u prezantuan nga Z. Rodion Gjoka.
Ky takimi u mundësua nga një grant i dhënë nga Birdlife International dhe DOPPS, përmes Critical Ecosystem Partnership Fund (CEPF).