Në 24 Nëntor 2015, në fshatin Lin u zhvillua një takim me përfaqësuesit e komuniteti të banorëve në këtë fshat. Duke qenë një temë me interes edhe pjesëmarrja ishte e vlerësueshme me kryeplakun e fshatit, drejtorin e shkollës 9-vjeçare, përgjegjësin e pompës së ujit për vaditje, inspektori i mjedisit për Pogradecin, sipërmarrës të bizneseve familjare, të rinj të papunë dhe banorë të thjeshtë.
Në takim, përfaqësuesit e Institutit të Politikave Mjedisore, Endri Haxhiraj, Rodion Gjoka dhe Edvin Pacara njohën pjesëmarrësit me gjetjet lidhur me ndotjen në zonën e Linit si dhe mundësive për të parandaluar dhe luftuar këtë fenomen me qëllim ruajtjen e liqenit në kohë afatgjatë. Rodion Gjoka prezantoi disa teknika të thjeshta sesi nëpërmjet vaditjes me pikim mund të kursehet ujë, qoftë për të luftuar thatësirën si pasojë e ndryshimeve klimaterike, qoftë për të mos përdorur ujë nga liqeni. Në takim u fol edhe për teknika të tjera si ruajtja e ujit të shiut, zonat buferike të bujqësisë, kompostimin etj. Në diskutime u përmend nga Endri Haxhiraj edhe çështja e turizmit pasi zona e Linit është një zonë turistike potenciale, çka kërkon edhe vendosshmëri në ruajtjen e pastër të mjedisit dhe mbrojtjen e tij.
Për të gjitha këto, është përgatitur edhe një udhëzues i cili i përcoll tek pjesëmarrësit dhe banorë të tjerë të këtij komuniteti. Projekti Pilot per Linin gjendet bashkangjitur. Botimet dhe aktiviteti u mundësuan nga një grant i dhënë nga Birdlife International dhe DOPPS, përmes Critical Ecosystem Partnership Fund (CEPF).