Vepro për klimën – Baldushk

Të Premten e Klimës, datë 3 korrik 2020, skuadra e IEP u takua me të rinjtë e Baldushkut, i njohur ndryshe si hambari i Tiranës. Të rinjtë vinin nga angazhime nga më të ndryshmet, që nga bujqësia apo blegtoria, deri tek krahu i punës në qytetin e Tiranës. Problemet ndërkombëtare të klimës u përcollën me një komunikim të drejtëpërdrejtë e duke zbritur në problemet e klimës që lidhen me zonën.
Baldushku i ka ndjerë problemet me mungesën e ujit, qoftë për shkak të menaxhimit jo të përshtatshëm, qoftë për mungesën e rrjeshjeve. Në këtë zonë vihen re shumë fenomene, që nga djegia e mbeturinave, prerja e pyjeve, erozioni, mungesa e kapjes së ujit të shiut, kompostimit etj.
Të rinjtë duan ndryshim pasi ata e duan vendin e tyre dhe nuk duan të emigrojnë siç ka ndodhur deri më tani. Politikat e gjelbra janë një garanci e qëndrueshme që duhet kërkuar për të arritur ndryshimin dhe mbrojtjen e klimës. Kjo e fundit nënkupton edhe mbrojtjen e vazhdimësisë së jetës në këto zona rurale dhe një perfitim ekonomik në një bujqësi të zgjuar dhe agroturizëm. Diskutimet për keto tema u përgëzuan nga të rinjtë që kërkojnë më shumë aktivitete të tilla në të ardhmen.
Ky takim u realizua në bashkëpunim me Heinrich Böll Stiftung.

Vepro për klimën – Patos

26.06.2020

Të Premten e Klimës siç njihet tashmë, u organizua seminari “Vepro për Klimën” në qytetin e Patosit. Një grup prej 30 të rinjsh e filluan këtë takim në formën e një proteste simbolike me pankarta në duar sikurse miliona të rinj në të gjithë planetin duke kërkuar që njerëzimi dhe vendimmarrësit të marrin masa urgjente për të ulur shkarkimet e CO2 në atmosferë

Takimi u hap nga aktivistja mjedisore Suela Muhametaj e cila shprehu disa pikëpamje mbi ndryshimet klimatike.

Në vijim, skuadra e Institutit të Politikave Mjedisore i njohu të rinjtë me çështjen e ndryshimeve klimatike se si ka evoluar ajo ndër vite, çfarë rreziqesh kanosen prej saj në komunitetin ku jetojmë dhe çfarë mund të bëjmë për të frenuar këtë fenomen. Gjithashtu ata u njohën me shembuj realë për të kuptuar fuqinë e vendimmarrjes, ndryshimit të sjelljes dhe politikave të gjelbra. Diskutimet që vazhduan nxorën në pah energjinë e të rinjve, që në dukje edhe pse nga një qytet i vogël si ai i Patosit, ata kanë të gjithë mundësitë për të çuar përpara frenimin e ndryshimeve klimatike. Ky aktivitet u realizua në bashkëpunim me Fondacionin Heinrich Böll.

Video nga veprimtaria

Ekspedita vëzhguese e kërkimore në zonën e tulipanit shqiptar në Surroj, Kukës dhe Oplas, Has

Instituti i Politikave Mjedisore ndërmorri dy ekspedita vëzhgimore në Kukës e Has në maj 2020, për të vëzhguar popullata të reja të Tulipa albanica e Tulipa kosovarica dhe për të caktuar zonat e reja për shumimin e tulipanit shqiptar, jashtë zonës kryesore të tulipanit shqiptar në Surroj, Kukës. Një popullatë e konsiderueshme e Tulipa kosovarica, me disa individë të Tulipa luanica u vëzhgua në Oplas të Bashkisë Has. Grupe të vogla të tulipanit të pyllit, Tulipa sylvestris u gjetën gjithashtu në zonën e tulipanit shqiptar. Ngrohja globale preku në mënyrë negative popullatat e tulipanit shqiptar këtë vit, duke tharë që në gonxhe shumë individë gjatë valës së të nxehtit në datat 14-19 maj 2020.

Miratohet mbrojtja zyrtare e habitatit të tulipanit shqiptar

Miratohet hapi i parë zyrtar i mbrojtjes së Tulipanit shqiptar (Tulipa albanica)! 🌷 Këshilli Bashkiak Kukës dhe Bashkia Kukës miraton mbrojtjen e habitatit të tulipanit shqiptar, me nxitjen dhe advokimin e Insitutit të Politikave Mjedisore dhe falë punës së palodhur të ekspertëve mjedisorë të Bashkisë Kukës dhe ADZM Kukës🌱🌲. Kjo mbrojtje zyrtare miratohet dhe nga Prefekti i Kukësit. Ky hap është një nga aktivitetet që Instituti i Politikave Mjedisore po zhvillon me anë të projektit për shumimin e mbrojtjen e tulipanit shqiptar që ka filluar që në prill 2019

Letër e hapur nga koalicioni i organizatave të shoqërisë civile për një rimëkëmbje ekonomike të gjelbër

Letrën mund ta lexoni këtu, ose si më poshtë:

Rimëkëmbja e gjelbër për Shqipërinë

13 Maj 2020

Drejtuar:        Z. Edi RAMA

KRYEMINISTËR

KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

Për dijeni:      DELEGACIONI I BASHKIMIT EVROPIAN NË SHQIPËRI 

BANKA BOTËRORE

BERZH

KfW

                        DONATORË TË TJERË TË INTERESUAR

Nga:                Organizatat e shoqërisë civile

Lënda:            Kërkesë drejtuar Qeverisë Shqiptare dhe donatorëve:

Të punojmë dhe të mobilizohemi së bashku për një rimëkëmbje të gjelbër e një të ardhme të qëndrueshme

Vendimet që do të marrim tani do të ndikojnë në jetët e shëndetin tonë, dhe në klimën që do të kemi në dhjetëvjeçarët e ardhshëm. Kriza shëndetësore e shkaktuar nga pandemia e  COVID-19 ka shkaktuar gjithashtu një krizë financiare dhe ekonomike. Qeveria shqiptare dhe donatorët kryesorë për Shqipërinë, kanë mobilizuar qindra miliona euro për rimëkëmbjen ekonomike dhe sociale të vendit.

Vetëm Bashkimi Evropian ka dhënë 46,7 milionë Euro mbështetje për rimëkëmbje sociale dhe ekonomike të Shqipërisë.

Krahas krizës financiare, kriza klimatike po godet e do të godasë më fort Shqipërinë, dhe nëse nuk marrim masa tani dhe vazhdojmë me modelin e vjetër të një ekonomie ndotëse, ekziston rreziku për të kaluar shumë shpejtë nga një krizë pandemie në një krizë klimatike ku do të jemi krejtësisht të papërgatitur. Nga ana tjetër, sipas studimeve, investimet e gjelbra gjenerojnë më shumë vende pune në krahasim me industrisë ndotëse. Shqipëria gjithashtu e ka detyrim si vend kandidat për anëtarësim në BE që të riorientojë ekonominë në një ekonomi qarkulluese e të gjelbër, e të ulë shkarkimet e CO2 sipas Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane.

Ky është shansi ynë më i mirë që kemi aktualisht për të shmangur rikthimin në një ekonomi shkaktare të krizës ekologjike e klimatike, e të ecim drejt një ekonomie që na siguron ajër të pastër, ujë të pastër, shëndet më të mirë e më shumë punësim për të gjithë.

Ne si një koalicion organizatash jofitimprurëse shqiptare kërkojmë nga qeveria shqiptare dhe nga donatorët që fondet publike për rimëkëmbjen ekonomike të përdoren për rimëkëmbje të gjelbër dhe jo për investime në industri ndotëse dhe emetuese të mëdha të CO2.

Duke i nisur nga kjo, kërkojmë:

  1. Investime për ekonominë e gjelbër, biznese ricikluese,
  2. Investime të ekonomisë qarkulluese, e sidomos për start-ups të gjelbër të hapur nga të rinjtë;
  3. Investime për energjinë e ripërtëritshme (panele termike e impiante fotovoltaike), për efiçencën e energjisë dhe për termoizolimin i banesave;
  4. Investime në bujqësi miqësore me mjedisin, si agropylltaria, bujqësi me vlera të larta natyrore dhe bujqësi organike;
  5. Investime në rikthim të ekosistemeve në gjendje të mëparshme, projekte mjedisore e ndërgjegjësuese për mjedisin e klimën;
  6. Pyllëzime masive të zonave të zhveshura duke angazhuar OJF-të, komunitetin dhe shtresat e varfëra, duke krijuar kështu një punësim për shtresat e varfra, dhe një sërë shërbimesh që krijohen nga pyjet si rezervat ujore, mbrojtja kundra erozionit dhe përmbytjeve, pastrimi i ajrit, zhvillimi i biodiversitet, zhvillimi i turizmit etj.;
  7. Nxitja e prodhimit dhe konsumit vendas, nga biznese miqësore me mjedisin;
  8. Subvencione e pagesa për shërbime për mjedisin që ofrohen nga OJF, komunitete, grupime e individë (p.sh. të paguhet mbjellja e pemëve, gjelbërimi i qyteteve; pastrimi i plazheve etj.);
  9. E shtuna pas mesditës dhe e gjithë e diela të bëhet pushim për të gjithë biznesin përveç atij çlodhës dhe biznesit të domosdoshëm. Këto ditë, të ndalohet qarkullimi i mjeteve private brenda unazave të qyteteve, dhe qendrat e qyteteve të lejohen që të kthehen në tregje të vegjël ku të shiten me tezga produkte të bëra në shtëpi apo sende të përdorura (ekonomi qarkulluese).
  10. Investime në transportin e gjelbër dhe infrastrukturën e tij si shtigje për biçikleta, autobusë e tramvaje elektrikë, hekurudha, stacione karikimi për makina elektrike etj.;
  11. Investime për kthimin në kompani të gjelbër të kompanive ekzistuese shtetërore, SH.A.-të etj;
  12. Prokurime publike të gjelbra.    
  13. Ofrimi i granteve për biznesin në Kërkim dhe Zhvillim të orientuar nga një analizë kërkimore.

Sinqerisht,

Koalicioni i organizatave mjedisore shqiptare

Instituti i Politikave Mjedisore

Qendra Mjedisore EDEN

Qendra Burimore e Mjedisit në Shqipëri

Instituti për Menaxhimin e Mjedisit dhe Territorit  

Instituti për Projektim dhe Menaxhim Mjedisor EDMI 

Co-Plan

Ekolëvizja

Green Vision

SEEP – Social Education & Environment Protection

EcoAlbania

RAF-Royal Albania Foundation

ECO-Partners for Sustainable Development

Shoqata Ekspertët e Rinj Mjedisorë SHERM

Milieukontakt Shqipëri 

Shoqata Egnatia

Protection and Preservation of Natural Environment in Albania (PPNEA)

Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë

Well Point-Kujdes për të gjithë

TOKA: The Organization to Conserve the Albanian Alps

Institute for Nature Conservation in Albania – INCA

Dita Botërore e Ligatinave, 2 shkurti

Instituti i Politikave Mjedisore zhvilloi aktivitete për Ditën Botërore të Ligatinave, më 2 shkurt 2020. Në janar 2020, IPM zhvilloi një vizitë studimore në sistemin lagunor-ligatinor Kune-Vain, ku mblodhi material rreth problematikës dhe rreziqeve që i kanosen këtij ekosistemi.
Më 1 shkurt, IPM zhvilloi edhe eventin për ditën botërore të ligatinave, ku u prezantuan rreziqet dhe zgjidhjet për ekosistemin Kune-Vain dhe ligatinat në përgjithësi, si dhe ndryshimet klimatike e ligatinat.

Video nga problematika në sistemin lagunor-ligatinor Kune-Vain.

Dita Botërore e Ligatinave në Shqipëri

Ligatinat e lagunat janë thelbësore për ruajtjen e biodiversitetit dhe të klimës, pasi torfa ruan rreth 30% të CO2-shit tokësor.
Instituti i Politikave Mjedisore organizon më 1 shkurt 2020, ora 10:15-12:15 një event për rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e ligatinave në Shqipëri, rreziqeve që i kanosen nga ndryshimet klimatike, si dhe masat që duhen marrë për t’i ruajtur ato.
Vendi: Qendra Rinore e Tiranës, Rruga e Kavajes.
Programi i eventit:
10:15 – 10:30 Regjistrimi dhe ekspozita e fotografive
10:30 – 11:00 Ligatinat në Shqipëri, sfidat, problematika në Kune-Vain, videorregjistrimi i gjendjes aktuale të zonës!
11:00 – 11:15 Ndyshimet klimatike dhe ligatinat
11:15 – 11:30 Masat që duhen marrë
11:30 – 12:15 Diskutime