Ekspeditë për përhapjen e tulipanit shqiptar në zona të reja në Surroj

Më 15 nëntor, ekipi i IEP-së që po mbulon projektin për shumimin e tulipanit shqiptar, realizoi ekspeditën për shumimin e përhapjen e tulipanit shqiptar jashtë zonës ku ai rritet në manyrë natyrale. Ekipi mblodhi një numër të vogël farash në muajt shtator-tetor të këtij viti, për shkak të numrit të vogël të luleve të çelura këtë vit nga thatësira dhe ndikimet e ndryshimeve klimatike. Vendi i ri për të përhapur tulipanin, u përzgjodh duke marrë parasysh faktorë si orientimi, dheu, gjeologjia, lartësia mbi nivelin e detit, dhe rreziku nga faktori njerëzor. Rreth 200 fara u mbollën në 4 tarraca të përgatitura duke imituar habitatin natyror të tulipanit shqiptar. Nëse çelja dhe rritja e këtyre individëve do të jetë e suksesshme, atëherë do të kemi nënpopullatën e parë të tulipani shqiptar, rreth 7 km larg popullatës natyrale të tij.

Evidentimi i krizës klimatike në Darëzezë, Fier

Në këtë material jemi përpjekur të paraqesim disa nga pasojat e ndryshimeve klimatike në bregdetin e Darëzezës në Fier. Ashtu si në shumë zona të bregdetit shqiptar, edhe këtu efektet e ndryshimeve klimatike kërcënojnë natyrën, turizmin, bujqësinë, ujin dhe jetën njerëzore!

Vepro për klimën: Darëzezë, Fier

Këtë të Premte të Klimës, më 4 shtator 2020, skuadra e Institutit të Politikave Mjedisore (IEP) në bashkëpunim me Qëndrën Rinore Epoka e Re, zhvilloi një aktivitet bashkëbisedimi për klimën me të rinjtë e Fierit në kuadër të fushatës Vepro për Klimën. Rreth 50 të rinj u njohën me rëndësinë që njeriu ka në gjenerimin e gazrave serë nga njëra anë dhe mundësive të për të frenuar ndryshimet klimatike nga ana tjetër. Duke menduar boshllëkun e vëmendjes ndaj krizës klimatike ndër vite, është tepër entuziazmuese të shikosh të rinj aktiv që diskutojnë me pasion për mbrojtjen e natyrës dhe njeriut nga pasojat klimatike.Aktiviteti u zhvillua në Darëzezë, një zonë me biodiversitet të lartë ku ende mund të shihen disa formacione natyrore si dunat ranore. Të rinjtë janë të ndërgjegjshëm për këtë mundësi natyrore që kanë në dispozicion që edhe pse i ka shpëtuar betonizimit, bregdeti i Darëzezës është ende e kërcënuar nga ndryshimet klimatike. Ata e pritën me kënaqësi propozimet e Marrëveshjes së Gjelbër Shqiptare propozuar nga IEP si një garanci më shumë për të ardhmen e vendit tonë, duke u bashkuar me miliona të rinj anembanë botës si aktivistë të klimës në lëvizjen kundra ndryshimeve klimatike dhe kërkesës që njerëzimi të marrë masa urgjente për të ulur shkarkimet e CO2 në atmosferë.

Ndryshimet klimatike në bregdetin mes grykëderdhjes së Semanit e Lagunës së Karavastasë

Skuadra e Institutit të Politikave Mjedisore paraqet me anë të kësaj video të realizuar më 26 Qershor 2020, sesi përparimi i detit në brendësi të tokës, si pasojë e rritjes së nivelit të detit, ka sjellë tharjen e pemëve apo pyjeve që më parë vishnin bregdetin e grykëderdhjes së Semanit pranë lagunës së Karavastasë.
Kjo video u mundësua me mbështetjen e rrjetit SEENET

Protesta e këpucëve

Të premten, më datë 24 korrik 2020, IEP organizoi një protestë me këpucë për klimën, duke iu bashkuar miliona protestuesve të tjerë anekënd botës në protestën më të madhe të këpucëve për krizën klimatike.
Për shkak pandemisë së Covid-19 është e pamundur grumbullimi i njerëzve por jo protesta e tyre me anë të këpucëve. Prandaj kjo protestë u bë me këpucë, dhe me pak pjesëmarrës, duke zbatuar rregulat e distancimit fizik. Në protestë u kërkua drejtësi klimatike, pasi ndikimet klimatike do të godasin mbi të gjitha shtresat në nevojë. Përtej të tashmes kaotike, ne do të jemi në gjendje të shikojmë përtej dhe të veprojmë tani për atë që po ndodh në të njëjtën kohë me krizën e koronavirusit, përkatësisht krizën klimatike.
Në Marrëveshjen e Parisit, 194 vende ranë dakord se temperatura mesatare duhet të kufizohet në në 1.5 gradë. Përkundër kësaj, emetimet e gazrave serë vazhdojnë të rriten. Që nga industrializimi, ne kemi ngritur tashmë temperaturën mesatare me 1.2 gradë.
Kriza klimatike nënkupton ngritjen e niveleve të detit, thatësira në bujqësi dhe zona më të pabanueshme. Akullnajat po zhduken dhe krijohen efekte vetë-përforcuese që përshpejtojnë ndryshimin e klimës edhe më tej. Shumë njerëz janë duke u detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre dhe numri i refugjatëve nga klima po rritet ndjeshëm. Për të përballuar krizën klimatike, ne gjithashtu mund të ngremë thirrjen për drejtësi klimatike.
Kërkesat tona u drejtohen politikanëve dhe vendimmarrësve, që menjëherë ata të vënë në fokus njerëzit dhe mjedisin dhe të ndërmarrin hapa të mëdha drejt një shoqërie të qëndrueshme dhe të sigurt.
Protesta u mbajt për një kohë të shkurtër, pasi policia kërkoi që të hiqeshin pankartat dhe pjesëmarrësit të largoheshin.
Protesta e pasqyruar nga Citizens Channel: “Protesta e këpucëve” në Tiranë i kujton institucioneve të veprojnë për ndryshimet klimatike

Djegia e ligatinave – një rrezik i madh për ekosistemet dhe klimën

Në një vizitë në ligatinën e Domnit në Velipojë këtë fundjavë, u gjendëm të befasuar nga djegia masive e kësaj ligatine. Shenjat fare të qarta të djegies së qëllimshme, bagëtitë që kullosnin aty pranë dhe brenda në ligatinë tregojnë se synimi është lirimi i tokës për kullotjen e blegtorisë. Ky ekosistem që shërben edhe për zbutjen e efekteve të ndryshimeve klimatike, është në një rrezik real që kërkon marrjen e masave urgjente.

Djegia e Kënetës së Domnit, zonë e mbrojtur

Nxitja dhe promovimi i ekonomisë qarkulluese rurale në Pukë

Puka përfaqeson një potencial agroturistik të rëndësishëm në Shqipërinë e veriut. Sipërmarrjet rurale të akomodimit, kulinarisë, artizanatit dhe vjeljes e përpunimit të frutave të egra janë në investim dhe premtojnë qëndrueshmëri, forcojnë komunitetin dhe punësojnë të rinj dhe kategori të margjinalizuara të shoqërisë. Ky moment është tepër i rendësishëm pasi nënkupton castin e skalitjes të gurëve të themelit në sipërmarrjen pukjane për t’u kthyer në sipërmarrje qarkulluese. Për këtë qëllim, të Premten e Klimës, (17.07.2020) skuadra e Institutit të Politikave Mjedisore zhvilloi një takim me sipërmarrjet për t’i informuar ato me një koleksion aktivitetesh të gjelbërta që një sipërmarrje mund të adoptojë për të shmangur ndotjen, të ruajë mjedisin, të përballojë/frenojë ndryshimet klimatike dhe nga ana tjetër të ketë përfitim ekonomik. Nga diskutimet sipërmarrësit rural të zonës, u shprehën se janë dakord me nismat që i bëjnë sipërmarrjet e tyre të gjelbërta dhe që krijojnë një imazh pozitiv tek turistët dhe klientët. Ata shprehen të gatshëm për të bashkëpunuar në këtë drejtim dhe kërkojnë më shumë vëmendje nga autoritetet dhe donatorët për t’PEi ndihmuar ose lehtësuar në këtë sipërmarrje konvertimi. Në këtë sfond Kompania Pemla nga Tirana ofroi eksperiencën e saj të një ekonomie qarkulluese duke e bërë më të prekshme dhe më reale ekonominë e gjelbër. Në bashkëpunim me Bashkinë Pukë, IEP do të vijojë me promovimin e nismave të agroturizmit që respektojnë mjedisin dhe ndihmojnë në frenimin e ndryshimeve klimatike. Ky aktivitet është pjesë e projektit “Nxitja dhe promovimi i ekonomisë qarkulluese rurale në Pukë”. Ky projekt mbështetet nga “NAGE – Rrjetëzim dhe Advokim për Ekonominë e Gjelbër” projekt i financuar nga Bashkimi Evropian

Protestë për klimën në Shqipëri

Ndryshimet klimatike nuk marrin pushime! Vullnetarja e IEP dhe njekohësisht aktivistja e klimës Suela Muhametaj ka zgjedhur këtë të Premte t’i bashkohet moshatares së saj në Suedi, Greta Thumberg, për të përcjellë mesazhin se në këto ditë të nxehta dhe plazhi, kriza klimatike është këtu dhe duhet të marrim masa urgjente!

Vepro për klimën – Baldushk

Të Premten e Klimës, datë 3 korrik 2020, skuadra e IEP u takua me të rinjtë e Baldushkut, i njohur ndryshe si hambari i Tiranës. Të rinjtë vinin nga angazhime nga më të ndryshmet, që nga bujqësia apo blegtoria, deri tek krahu i punës në qytetin e Tiranës. Problemet ndërkombëtare të klimës u përcollën me një komunikim të drejtëpërdrejtë e duke zbritur në problemet e klimës që lidhen me zonën.
Baldushku i ka ndjerë problemet me mungesën e ujit, qoftë për shkak të menaxhimit jo të përshtatshëm, qoftë për mungesën e rrjeshjeve. Në këtë zonë vihen re shumë fenomene, që nga djegia e mbeturinave, prerja e pyjeve, erozioni, mungesa e kapjes së ujit të shiut, kompostimit etj.
Të rinjtë duan ndryshim pasi ata e duan vendin e tyre dhe nuk duan të emigrojnë siç ka ndodhur deri më tani. Politikat e gjelbra janë një garanci e qëndrueshme që duhet kërkuar për të arritur ndryshimin dhe mbrojtjen e klimës. Kjo e fundit nënkupton edhe mbrojtjen e vazhdimësisë së jetës në këto zona rurale dhe një perfitim ekonomik në një bujqësi të zgjuar dhe agroturizëm. Diskutimet për keto tema u përgëzuan nga të rinjtë që kërkojnë më shumë aktivitete të tilla në të ardhmen.
Ky takim u realizua në bashkëpunim me Heinrich Böll Stiftung.