Këtë të Premte të Klimës, më 4 shtator 2020, skuadra e Institutit të Politikave Mjedisore (IEP) në bashkëpunim me Qëndrën Rinore Epoka e Re, zhvilloi një aktivitet bashkëbisedimi për klimën me të rinjtë e Fierit në kuadër të fushatës Vepro për Klimën. Rreth 50 të rinj u njohën me rëndësinë që njeriu ka në gjenerimin e gazrave serë nga njëra anë dhe mundësive të për të frenuar ndryshimet klimatike nga ana tjetër. Duke menduar boshllëkun e vëmendjes ndaj krizës klimatike ndër vite, është tepër entuziazmuese të shikosh të rinj aktiv që diskutojnë me pasion për mbrojtjen e natyrës dhe njeriut nga pasojat klimatike.Aktiviteti u zhvillua në Darëzezë, një zonë me biodiversitet të lartë ku ende mund të shihen disa formacione natyrore si dunat ranore. Të rinjtë janë të ndërgjegjshëm për këtë mundësi natyrore që kanë në dispozicion që edhe pse i ka shpëtuar betonizimit, bregdeti i Darëzezës është ende e kërcënuar nga ndryshimet klimatike. Ata e pritën me kënaqësi propozimet e Marrëveshjes së Gjelbër Shqiptare propozuar nga IEP si një garanci më shumë për të ardhmen e vendit tonë, duke u bashkuar me miliona të rinj anembanë botës si aktivistë të klimës në lëvizjen kundra ndryshimeve klimatike dhe kërkesës që njerëzimi të marrë masa urgjente për të ulur shkarkimet e CO2 në atmosferë.