Projekti rajonal “Bujqësia e qëndrueshme për një Ballkan te qëndrueshëm”, përqendrohet në forcimin e kapacitetit të organizatave të shoqërisë civile për përfaqësimin publik dhe zhvillimin e politikës rajonale në fushën e bujqësisë së qëndrueshme, mbrojtjes së kafshëve në zonën e Ballkanit Perëndimor.
Takimi i dytë i platformës rajonale të punës, brenda kuadrit të projektit “Bujqësia e qëndrueshme për një Ballkan te qëndrueshëm” u mbajt në Beograd me datat 17-19 Shtator 2019.
Gjate periudhës Qershor-15 Shtator 2019, ekspertët e Ministrisë së Bujqësisë e Zhvillimit Rural dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit- Agjencisë Kombëtare e Mjedisit, kishin punuar për hartimin e Raportit Kombëtar për Shqipërinë – “Identifikimi dhe Monitorimi I Bujqësisë me Vlerë të Lartë Natyrore”.
Ky raport trajtoi Kuadrin (Kornizat) e politikave, vendosja institucionale dhe disponueshmëria e të dhënave ne vendin tone për produktet bujqësore me vlerë të lartë natyrore (HNVF) dhe mbrojtjen e biodiversitetit ne bujqësi.
Eksperte nga vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, Bashkimit Evropian (nga Agjencia Federale Gjermane për Ruajtjen e Natyrës) shprehën mendimet e tyre lidhur me punën e bërë për përgatitjet e raporteve Kombëtare për Identifikimin dhe Monitorimin e Bujqësisë me Vlerë të Lartë Natyrore, duke dhënë njëkohësisht dhe vërejtjet e sugjerimet e tyre për përmirësimin e mëtejshëm të këtij raporti.
Raporti përfundimtar do të dorëzohet nga ekspertët në fillim të muajit tetor dhe përmbledhja e të gjithë raporteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, do të prezantohen në një Konferencë Rajonale që do të mbahet më 6-7 dhjetor në Beograd, me një pjesëmarrje të gjerë të drejtuesve dhe eksperteve nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Organizatat e Shoqërisë Civile të vendeve të Ballkanit Perëndimor (Shqipërisë, Maqedonisë, Kosovës, Malit te Zi dhe Serbisë).