Instituti i Politikave Mjedisore mbylli fushatën e mbjelljeve për këtë sezon, nga tetor 2022 deri në javën e dytë të marsit 2023, duke mbjellur 1468 fidanë pishe të butë, pishe të egër, cedri dhe dafine, dhe 400 fara gështenje të egër. Këto fidanë u mbollën në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta, zonën e mbrojtur Kune-Vain, në Parkun Natyror Korab-Koritnik, Kukës dhe në zonën e Baldushkut (Tiranë). Për mbjelljen e fidanëve u angazhuan vullnetarë të Institutit të Politikave Mjedisore por edhe shumë banorë të zonës e dashamirës të mjedisit. Instituti i Politikave Mjedisore do e vazhdojnë këtë traditë edhe në vitet e ardhshme me qëllimin për të luftuar dhe për t’u përshtatur me ndryshimet klimatike por edhe për të sensibilizuar shoqërinë për rëndësinë që kanë pyjet për vendin dhe planetin. Mbjellja e këtyre fidanëve u mundësua nga Minor Foundation.
Tag: Minor foundation
Veprimtari ripyllëzimi për klimën në Kukës
Instituti i Politikave Mjedisore të Premten e kaluar iu bashkua AdZM Kukës në kuadër të 100 vjetorit të Shërbimit Pyjor Shqiptar (27 Janar 1923) për mbjelljen e 320 pishave të zeza në parkun natyror Korab-Koritnik. Këto pyllëzime janë një barrierë shtesë ndaj efektit të ndryshimeve klimatike sikurse dhe do të sekuestrojnë karbon duke zbutur këtë efekt. Në ditët në vazhdim do të vijojmë me mbjellje të pemëve të llojeve të ndryshme në zona të ndryshme.
Veprimtari ndërgjegjësimi për rritjen e nivelit të detit në Vlorë
Instituti i Politikave Mjedisore zhvilloi më 13 Janar 2023 një veprimtari ndërgjegjësuese me qytetarët e Vlorës për të folur me ta mbi fenomenin shkatërrues që parashikojnë skenarët për vitet e ardhshme sikurse është edhe rritja e nivelit të detit në këtë pjesë të bregdetit. Instituti i Politikave Mjedisore prezantoi skenarët që parashikojnë se pjesë të rëndësisshme të qytetit duke përfshirë edhe “Lungomaren” do të gjenden nën ujë në 30 vitet e ardhshme. Pikërisht aty, pozicionuam edhe biçikletën e klimës për ta bërë sa më të qartë situatën.
Jemi shumë të kënaqur që rreth 500 qytetarë vlonjat, u takuan me aktivistin e klimës Gentian Stafa, të cilët shprehen të shqetësuar mbi këtë kërcënim dhe nevojën për të marrë masa ndaj Ndryshimeve Klimatike. Ata shprehen të dakordësuar që është e nevojshme më shumë angazhim në komunitet për të frenuar fenomenin që ndodhet tek porta. Ne shpresojmë që ata të përfshihen më shumë në aktivizëm për klimën dhe planetin.
Veprimtari pyllëzimi me mbjelljen e 500 pishave të buta në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta
Instituti i Politikave Mjedisore iu bashkua veprimtarisë për mbjelljet në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta këtë të diel më 8 janar, duke dhuruar 500 pisha të buta (Pinus pinea). Përveçse do të krijojnë një barrierë kundra përparimit të detit dhe do të rrisin pyllin e Divjakës, këto pisha do të sekuestrojnë karbon dhe në këtë mënyrë do të zbusin efektet e ndryshimeve klimatike. Në javët në vazhdim të janarit do të vazhdojmë me mbjellje të pemëve të llojeve të ndryshme në zona të tjera të vendit.
Fushata e ripyllëzimit me fara gështenjash të egra
IPM përmbylli me sukses fushatën e ripyllëzimit gjatë muajve tetor-nëntor 2022 duke mbjellë mbi 600 fara gështenjash të egra (Aesculus hippocastanum), pemë vendase e Shqipërisë dhe simbol i IPM-së. Kjo është fushata e dytë që IPM po ndërmerr për të rritur popullatën e gështenjës së egër në vendin tonë, një lloj i rrezikuar në mënyrë kritike në vendin tonë. Në tetor-nëntor 2021, IPM mbolli mbi 400 fara gështenjash të egra, fara që u mblodhën dhe mbollën nga stafi dhe vullnetarët e IPM-së.
Zonat ku u krye ripyllëzimi janë kodrat e Baldushkut dhe Farkës në Tiranë. Farat u mbollën në vende të përshtatshme për rritjen e tyre.
Gjatë monitorimit të mbjelljeve të vitit 2021, IPM vuri re se mbi 80% e fara kishin mbirë dhe ishin rritur. Përveç gështenjave të egra, IPM mbolli dhe lende lisash të llojeve si Quercus cerris, Quercus Frainetto, dhe Quercus petraea. Kjo veprimtari është një aksion i drejpërdrejtë kundër nxehjes globale/krizës klimatike. Në 6-7 vjet, këto pemë do të sekuestrojnë rreth 10-20 tonë CO2 në vit.
Kjo veprimtari u mbështet nga Minor Foundation for Major Challenges nëpërmjet projektit Veprim për klimën në Shqipëri – Marrëveshja e Gjelbër Shqiptare.