Instituti i Politikave Mjedisore mbylli fushatën e mbjelljeve për këtë sezon, nga tetor 2022 deri në javën e dytë të marsit 2023, duke mbjellur 1468 fidanë pishe të butë, pishe të egër, cedri dhe dafine, dhe 400 fara gështenje të egër. Këto fidanë u mbollën në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta, zonën e mbrojtur Kune-Vain, në Parkun Natyror Korab-Koritnik, Kukës dhe në zonën e Baldushkut (Tiranë). Për mbjelljen e fidanëve u angazhuan vullnetarë të Institutit të Politikave Mjedisore por edhe shumë banorë të zonës e dashamirës të mjedisit. Instituti i Politikave Mjedisore do e vazhdojnë këtë traditë edhe në vitet e ardhshme me qëllimin për të luftuar dhe për t’u përshtatur me ndryshimet klimatike por edhe për të sensibilizuar shoqërinë për rëndësinë që kanë pyjet për vendin dhe planetin. Mbjellja e këtyre fidanëve u mundësua nga Minor Foundation.
Tag: climate crisis
Veprimtari ripyllëzimi për klimën në Kukës
Instituti i Politikave Mjedisore të Premten e kaluar iu bashkua AdZM Kukës në kuadër të 100 vjetorit të Shërbimit Pyjor Shqiptar (27 Janar 1923) për mbjelljen e 320 pishave të zeza në parkun natyror Korab-Koritnik. Këto pyllëzime janë një barrierë shtesë ndaj efektit të ndryshimeve klimatike sikurse dhe do të sekuestrojnë karbon duke zbutur këtë efekt. Në ditët në vazhdim do të vijojmë me mbjellje të pemëve të llojeve të ndryshme në zona të ndryshme.
Veprimtari ndërgjegjësimi për rritjen e nivelit të detit në Vlorë
Instituti i Politikave Mjedisore zhvilloi më 13 Janar 2023 një veprimtari ndërgjegjësuese me qytetarët e Vlorës për të folur me ta mbi fenomenin shkatërrues që parashikojnë skenarët për vitet e ardhshme sikurse është edhe rritja e nivelit të detit në këtë pjesë të bregdetit. Instituti i Politikave Mjedisore prezantoi skenarët që parashikojnë se pjesë të rëndësisshme të qytetit duke përfshirë edhe “Lungomaren” do të gjenden nën ujë në 30 vitet e ardhshme. Pikërisht aty, pozicionuam edhe biçikletën e klimës për ta bërë sa më të qartë situatën.
Jemi shumë të kënaqur që rreth 500 qytetarë vlonjat, u takuan me aktivistin e klimës Gentian Stafa, të cilët shprehen të shqetësuar mbi këtë kërcënim dhe nevojën për të marrë masa ndaj Ndryshimeve Klimatike. Ata shprehen të dakordësuar që është e nevojshme më shumë angazhim në komunitet për të frenuar fenomenin që ndodhet tek porta. Ne shpresojmë që ata të përfshihen më shumë në aktivizëm për klimën dhe planetin.
Veprimtari pyllëzimi me mbjelljen e 500 pishave të buta në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta
Instituti i Politikave Mjedisore iu bashkua veprimtarisë për mbjelljet në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta këtë të diel më 8 janar, duke dhuruar 500 pisha të buta (Pinus pinea). Përveçse do të krijojnë një barrierë kundra përparimit të detit dhe do të rrisin pyllin e Divjakës, këto pisha do të sekuestrojnë karbon dhe në këtë mënyrë do të zbusin efektet e ndryshimeve klimatike. Në javët në vazhdim të janarit do të vazhdojmë me mbjellje të pemëve të llojeve të ndryshme në zona të tjera të vendit.
Rekomandimet e shoqërisë civile për qeveritë e Ballkanit Perëndimor
Forumi i Shoqërisë Civile dhe Think Tank 2022 mblodhi së bashku këtë fillim Nëntori më shumë se 100 përfaqësues të ndryshëm si grupe studimore, shoqëri civile dhe ekspertë në fushat përkatëse për të ofruar rekomandime mbi procesin e integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në këto takime mori pjesë edhe përfaqësuesi i lartë i qeverisë gjermane dhe Përfaqësuesi Special i Qeverisë Federale Gjermane për vendet e Ballkanit Perëndimor, z. Manuel Sarrazin.
Instituti i Politikave Mjedisore, i përfaqësuar nga Endri Haxhiraj, pati rastin të takojë znj. Ursula VON DER LEYEN e cila pati durimin të dëgjojë shkurtimisht disa nga shqetësimet e shoqërisë civile në Ballkan dhe besimin që OSHC-të mjedisore kanë lidhur me udhëheqjen e saj të Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane (EGD) dhe reflektimin e EGD-ve në shoqërinë e Ballkanit Perëndimor.
Forumi i Shoqërisë Civile dhe Think Tank 2022, në rekomandimet që përcjellin për qeveritë e Ballkanit Perëndimor kërkojnë rritjen e përpjekjeve në lidhje me zbatimin e ligjit, për zbutjen/përshtatjen e klimës dhe masat e mbrojtjes së mjedisit.
Një rekomandim që vlen për tu theksuar dhe që kërkon vëmendje, i drejtohet qeverive të Ballkanit Perëndimor për “të gjetur qasje që i japin njerëzve cilësinë e jetës që ata kërkojnë duke mbrojtur sistemin mjedisor që është gjithashtu themeli i mirëqënies tonë. Të gjithë aktorët duhet të përfshihen në proces, jo vetëm ata që janë aktivë në fushën e mjedisit”.
Për më shumë, mund të ndiqni dhe rregjistrimet e paneleve të diskutimit: https://youtu.be/Oy24aYmeoa4
#CSF2022 organizohet nga Aspen Institute Germany dhe Südosteuropa-Gesellschaft e.V. me mbështetjen e Ministrisë së Jashtme Federale të Qeverisë Gjermane.
Rekomandimet e pregatitura tashmë në gjuhën Shqipe, mund t’i lexoni këtu.