Aktiviteti “Ndryshimet klimatike dhe pasojat në mjedis e burimet energjitike”

30 nëntor 2016, ora 9:30, Universiteti Polis, Tiranë

Më 30 nëntor 2016, Instituti i Politikave Mjedisore (IEP) ndërmorri aktivitetin ndëraktiv me profesionistë të rinj, studentë, aktivistë e mjedisorë, Ndryshimet klimatike dhe pasojat në mjedis e burimet energjitike”

Ky aktivitet u zhvillua me qëllim ndërgjegjësimin e publikut shqiptar mbi ndryshimet klimatike, efektet e tyre dhe mbrojtjen e mjedisit përballë ndryshimeve klimatike.

Temat që u prezantuan gjatë aktivitetit, ishin:

-“Ndryshimet klimatike në botë e në Republikën e Shqipërisë”;

-“Ndryshimet klimatike në Spanjë dhe masat e marra”;

-“Ndikimi socio-ekonomik i ndryshimeve klimatike”.

me prezantues Edvin Pacara, Alba Pereira, Hugo Diaz e Elidio Kapedani.

Këto prezantime shtjelluan shkaqet pse klima po ndryshon, ndikimi sipas sektorëve i aktivitetit njerëzor dhe ndarja e ndikimit sipas vendeve, pasojat në Republikën e Shqipërisë dhe në Spanjë, masat që po merren për të parandaluar pasojat, si dhe ndikimi në shoqëri, jetesë të përditshme dhe ekonomi i këtyre ndryshimeve klimatike. Prezantimet u pasuan me diskutime nga pjesëmarrësit e pyetje-përgjigje drejtuar prezantuesve.

Pjesa e dytë e aktivitetit ishte shfaqja e filmit të shkurtër dokumentar “HEC-et, energjia dhe komuniteti në Shqipëri: Konflikti për ujë dhe energji”. Dokumentari tregoi sesi marrja e ujit ishte kthyer në konflikt mes komunitetit që e kishte burim jete atë, dhe firmave e shtetit që e shihnin atë vetëm si burim energjie. Ky dokumentar u shfaq për të pasqyruar që ulja e reshjeve të shiut nga ndryshimet klimatike, do të sjellë një përshkallëzim të konflikteve për ujin në Shqipëri e në botë. Dokumentari i pasua nga diskutime mes pjesëmarrësve në aktivitet.

Aktiviteti prodhoi debate e argumentime të shumta. Reagimet e të rinjve ishin energjike duke vlerësuar nevojën që në vendin tonë të bëhet më shumë për të ecur drejt një ekonomie të gjelbër e jondotëse, dhe për parandalimin e ndryshimeve klimatike, si dhe u tregua interes në ndikimet e pasojat e ardhshme të ndryshimeve klimatike.

Gjatë aktivitetit u shpërnda dhe libërthi “Ndryshimet klimatike dhe pasojat e tyre në Republikën e Shqipërisë” si dhe “Mbrojtja e burimeve natyrore të Shqipërisë duke angazhuar profesionistët e rinj”.

Materialet dhe infrastruktura për zhvillimin e këtij aktiviteti u bënë të mundura me mbështetjen e Co-Plan në kuadër të ENV.net, financuar nga Bashkimi Evropian.